Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev në promovimin e termocentralit të parë bashkëkohor fotovoltaik të “EVN Maqedoni” në Negotinë – Vojshanci, theksoi se një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë është cilësi më e mirë e jetës për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë në investimet në sektorin energjetik përmes politikave që mundësojnë promovim të burimeve të ripërtërishme të energjisë, si dhe avancim të efikasitetit energjetik.
Bashkë me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini dhe kryetari i Bordit Drejtues të “EVN Maqedoni”, Shtefan Peter, e theksoi rëndësinë e prodhimtarisë ekologjike të energjisë elektrike. Ky projekt i realizuar me sukses është në kuadër të shpalljes publike të Ministrisë së Ekonomisë, për ndarjen e premive për energji elektrike prodhuar nga centralet nga termocentralet fotovoltaike në tokë private.
Kryeministri Zaev theksoi se të gjitha angazhimet për shfrytëzimin e energjisë diellore e kemi në sasi të mëdha, jemi vend me 280 ditë me diell në vit dhe me "pik të energjisë diellore" të cilësisë më lartë.
“Janë vendosur 62,5 megavat fotovoltaike, që janë në fazë të ndërtimit, në rrugë të partneritetit publik-privat, ndërsa me sukses është përfunduar procedura për instalimin e elektranës fotovoltaike 100 megavat në Osllome, ku shteti pret së paku 10% të resurseve që i ofron. Po ndërtohen termocentrale fotovoltaike me para të veta nga ana e ESM-së në minierën e vjetër në Osllome. Para kyçjes së kontratave jemi për 10 megavat të reja prej në Osllome dhe për 20 megavatë në REK Bitolla. Në mënyrë shtesë përfunduan me sukses procedurat në Koçan për ndërtimin e 8 megavat fotovoltaike. Në Kriva Pallankë – Kumanovë kemi investim potencial me vlerë 500 milionë euro për 400 megavatë mullinj të erës. Bëhet fjalë për tre projekte të ndara nga një total prej 90 megavat mullinj të erës të investitorëve të huaj në Bogdanc, Demir Kapi dhe Sveti Nikollë. Njëkohësisht po përgatitet lokacioni në Debërcë për 50 megavat dhe 100 megavatë shtesë në territorin e gjithë vendit tonë. Qëllimi është 400 megavat fotovoltaike dhe 200 megavat mullinj të erës në shtet. Paralelisht me këtë, bisedojmë për investim në termocentralet me gaz jashtë vendit dhe në vend. Në vazhdim është procedura për investim në vlerë të përgjithshme prej 25% në 800 megavat central i gazit në Aleksadropolus dhe 10% pjesëmarrje të Maqedonisë së Veriut në terminalin e gazit Aleksandropolus. Investimi ynë i përgjithshëm do të jetë mes 30 – 35 milionë euro”, tha Kryeministri Zaev.
Ministri Bekteshi tha se me realizimin e këtij investimit në kohë rekord janë tejkaluar pritshmëritë.
“Ministria e Ekonomisë, si ministri kompetente për politikat e energjetikës, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të mbështesë aktivitete për promovim të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe promovim të efikasitetit energjetik, me qëllim të realizimit të qëllimeve të caktuara për pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, të përcaktuara në dokumentet strategjike në drejtim të arritjes së qëllimit kombëtar të kursimit të energjisë“, tha Bekteshi.
Nga EVN thonë se centrali është ndërtuar në periudhë rekord prej më pak se katër muaj.
“Ky central fotovoltaik është rezultat i bashkëpunimit të frytshëm në mes sektorit publik dhe privat. Jemi krenarë që kompania jonë investon në projekte të hartuara për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe veçanërisht zvogëlimin e ndotjes. Për më pak se 4 muaj periudhë rekord, arritëm të bëjmë ndryshim pozitiv në drejtim të ardhmërisë më të mirë energjetike të vendit si dhe për shëndetin e qytetarëve tonë“, tha kryetari i Bordit Drejtues të “EVN Maqedoni”, Shtefan Peter.
Centrali bifacial fotovoltaik i EVN Maqedoni në Negotinë, është i ndërtuar nga 4416 panele me fuqi prej 335 W, përkatësisht fuqi të instaluar prej 1479 kW dhe ka kapacitet prej 2,1 GWh për prodhim vjetor të energjisë elektrike prej burimeve të ripërtëritshme të energjisë elektrike.