Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe në këtë situatë, me rastin e konkluzioneve të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (KOREPER) shpreh dëshpërim që BE-ja nuk arriti të gjejë mënyrë për të sjell vendim pozitiv për miratimin e Kornizës negocuese, që do të mundësonte që Konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut të mbahet deri në fund të vitit 2020, gjatë kryesimit gjerman me BE-në.
Fatkeqësisht, u konfirmua vetoja e Bullgarisë, me të cilën nuk lejohet fillimi i negociatave të vendit tonë me BE-në edhe pse sipas të gjitha raporteve të institucioneve evropiane ne i plotësuam të gjitha kriteret që të pranohet korniza negocuese dhe të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare për fillimin e bisedimeve.
Ne i dorëzojmë, ndërsa BE-ja nuk i ka mbajtur premtimet e saj dhe për momentin nuk po marrim përgjigjen e duhur. Bullgaria dhe BE-ja përsërisin gabimin në lidhje me Maqedoninë e Veriut. Gabimi historik në vitin 2019 është tani një gabim i madh gjeostrategjik i BE-së.
Janë tradhtuar pritjet e arsyeshme të qytetarëve tanë, të nxitura dhe të inkurajuara nga BE-ja dhe vendet anëtare. Është lëkundur besimi i një pjese të madhe të qytetarëve nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky gabim është motiv për një depërtim edhe më serioz të interesave të palëve të treta në zemrën e Evropës.
Kërkesat e Republikës së Bullgarisë nuk janë surprizuese, por këmbëngulja e tyre në pozicione që nuk kanë asnjë lidhje me çështjen strategjike të rëndësishme të zgjerimit të BE-së, nuk do të ndryshojnë pikëpamjen tonë se nuk ka negociata për çështjet e identitetit.
Mbetemi të përkushtuar në dialogun me Sofjen dhe kërkesën për zgjidhje të përbashkët të pranueshme. Jemi të gatshëm të sqarojmë dyshime të caktuara nëse ka nevojë për këtë, por pozitat tona janë të njohura dhe të konfirmuara qartë: Ne jemi maqedonas të cilët e flasin gjuhën maqedonase. Për identitetin maqedonas nuk bisedohet dhe nuk negociohet.
Marrëveshja me Bullgarinë është në rregull dhe nuk ka nevojë për marrëveshje të re ose aneks të marrëveshjes. Jemi të gatshëm për zbatim më aktiv të Marrëveshjes. Kemi dhënë propozim plan veprimi për projekte mes dy shteteve që mund të avancojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme (ekonomi, infrastrukturë, kulturë,arsim dhe të tjera).
Gjithmonë do të luftojmë kundër gjuhës së urrejtjes. Provokimet nuk janë në interes të askujt dhe duhet të mbajmë dialog të civilizuar dhe evropian në të gjitha nivelet. Të mos hyjmë në rreth, në ofendime, akuza dhe gjuhë të urrejtjes, të cilat nuk do të sjellin asnjë të mirë për askënd, veçanërisht për popullin maqedonas dhe bullgar.
Pa marrë parasysh se BE-ja dërgon sinjal të keq për vlerën e reformave tona të vendit dhe rezultatet e treguara në procesin e integrimit në BE për të cilat nga Brukseli arrinin mirënjohje, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën e njëjtë strategjike si deri më tani. Nuk ka asnjë devijim nga realizimet e qëllimeve strategjike që janë të përcaktuar njëzëri dhe se gjithmonë kanë gëzuar mbështetje të gjerë: Arritje dhe ruajtje të marrëdhënieve të mira fqinjësore, pjesëmarrje aktive në NATO si anëtare e barabartë e Aleancës dhe aspiratën e palëkundur për anëtarësim në BE.
Në vend nuk do të lejojmë që mossuksesi i BE-së me mosmiratimin e kornizës negociuese, të shkaktoj pengesë në reformat e brendshme. Përkundrazi, do ta përforcojmë tempin dhe do të rrisim përparësinë që e kemi në rajon. Me më shumë besim, përkushtim dhe unitet, do të përkushtohemi në ndërtimin e standardeve evropiane në vend.