Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, me ftesë të organizatës joqeveritare “Racio”, mori pjesë në panel diskutimin me temë “Qasje dhe strategji kreative në përpilimin e programeve për punësim të të rinjve” ku diskutoi me profesorët universitarë Visar Ademin dhe Gadaf Rexhepin.
Para fillimit të panel diskutimit, në deklaratën e dhënë për mediat, zëvendëskryeministri Bytyqi përshëndeti iniciativën e organizatës joqeveritare “Racio” për hapjen e diskutimit ndërmjet Qeverisë, sektorit joqeveritar dhe të rinjve për programe dhe masa për mbështetjen e të rinjve si në periudhën e krizës të shkaktuar nga koronavirusi por edhe pas periudhës së KOVID-19.
“Sot do të flasim për të gjitha programet dhe masat aktive që sivjet për synim kanë të rinjtë si një grup qëllimor. Do të flasim për Planin Operacional për programet dhe masat e punësimit, i cili sivjet është me të vërtetë në një nivel historikisht të lartë të buxhetit, gati 1,5 miliardë denarë, ku të rinjtë zënë një pjesë të konsiderueshme, do të flasim edhe për garancinë e të rinjve si pjesë e Plani operacional, për programin në Ministrisë së bujqësisë, ku ne synojmë të rinjtë me një qasje të ndryshme se më parë. Gjithashtu do të diskutojmë programet e Fondit për inovacion dhe zhvillim teknologjik, ku rreth 50% e personave të synuar janë të rinj dhe sigurisht që nuk do të lëmë pa folur edhe për konkurset e shpallur për regjistrim në shkollat e mesme e që para disa ditëve edhe njoftuam, ku për herë të parë ne po bëjmë një hap të madh përpara në arsimin profesional, në veçanti në arsimin “e dyfishtë”. Nëse më parë kemi folur për 11 paralele në arsimin “e dyfishtë”, sivjet do të flasim për 95 paralele me një instrument krejtësisht të ri të subvencionimit, për motivimin e të rinjve që të përfshihen në arsimin profesional si një hap përpara për punësimin e të rinjve në vendin tonë. Me të vërtetë jam i lumtur që kam mundësinë të komunikoj drejtpërdrejt me kategorinë e të rinjve dhe të shoh se cilat janë mendimet e tyre dhe cilat janë vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë në mënyrë që të mund të fusim segmente të reja në programe dhe politika aktive”, tha Bytyqi në deklaratën para mediave prezente.
Përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Racio”, Fehmi Osmani, tha se një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë sonë është emigrimi i të rinjve, prandaj “Racio” organizoi këtë panel diskutim, në mënyrë që të rinjtë të marrin më shumë informacion rreth mundësive të ofruara nga shteti për zhvillimin e tyre dhe të qëndrojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në panel diskutimit, para të rinjve të pranishëm, zëvendëskryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar të stimulojë të rinjtë për të krijuar një ardhmëri të tyre më të mirë, dhe kështu të krijojnë ardhmëri më të mirë për vendin tonë. Ai detajisht iu qas disa prej programeve dhe masave që ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për të rinjtë në vend.
“Një nga më të rëndësishmit është Plani operacional për programe dhe masa aktive të punësimit për vitin 2021, i cili ka një buxhet rekord prej 1,5 miliardë denarë, me përfshirje të përgjithshme prej mbi 10.200 persona. Në këtë plan operacional, të rinjtë nën 29 vjeç janë në fokusin e të gjitha masave dhe pritet që përfaqësimi i tyre të jetë së paku 30%”, tha Bytyqi duke shtuar se Shtesa për të rinjtë, si një nga programet, u dëshmua si zgjidhje e shkëlqyeshme për të stimuluar të rinjtë nën 23 vjeç, duke i motivuar që të përfshihen në prodhimtari, gjegjësisht të ndërtojnë karrierë në industri.
“Prandaj, sivjet është rritur përfshirja e personave për këtë masë, me 100 milionë denarë të planifikuar, d.m.th. 3000 denarë shtesë të rrogës së rregullt, për 2500 të rinj të punësuar në prodhimtari. Një nga masat më atraktive për të rinjtë është mundësia për të formuar kompani të tyre dhe të vetëpunësohen. Sivjet, 1760 persona kanë mundësinë të hapin biznesin e tyre, me mjete të drejtpërdrejta të grantit prej 307.500 denarë për person, dhe pritet që 1/3 ose mbi 500 qytetarë nën moshën 29 vjeçe të themelojnë ndërmarrje të tyre. Plani operacional parashikon programe dhe masa të tjera që do të mbështesin punësimin e të rinjve, siç është Programi për krijimin e vendeve të punës i cili siguron minimumi 30% të të rinjve, kurse përfshinë rreth 1100 persona me një buxhet të përgjithshëm prej 220 milionë denarë. Fokusi është tek më të rinjtë, personat nën 29 vjeç, pjesëtarë të komunitetit rom, por edhe njerëz që kanë mbetur pa punën, si pasojë e pandemisë të shkaktuar nga koronavirusi. Për çdo të ri, kompanitë do të fitojnë grant prej 153.750 denarë”, theksoi Bytyqi.
Mbështetja e drejtpërdrejtë për të rinjtë është planifikuar edhe përmes Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, përmes Programit për mbështetjen e bujqve të rinj me një vlerë totale prej 190 milionë denarë, e me të cilën parashihen grante direkte për 265 të rinj, me mbi 10 mijë euro për person. Qëllimi është që të stimulohen të rinjtë të punojnë në bujqësinë primare agrare ose përpunuese, por edhe të qëndrojnë në vendlindjet e tyre.
“Fondi i inovacioneve në vitet e kaluara është profilizuar si një shtëpi e vërtetë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjet fillestare dhe spin-off. Analiza e portofolit të kompanive të mbështetura nga Fondi tregon se mbi 50 për qind e projekteve dhe kompanive të mbështetura kryesisht janë të themeluara nga të rinj. Këto janë 305 startup kompani me një vëllim total financimi prej mbi 27 milionë euro, nga të cilat më shumë se 17,3 milionë euro janë bashkëfinancim nga Fondi, kurse 10 milionë euro janë investim nga vetë kompanitë”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri përkujtoj se dy ditë më parë u promovua koncepti i ri i arsimit të mesëm, që inkurajon arsimin profesional, i cili po bëhet më interesant për të rinjtë edhe për shkak të zgjerimit të konceptit të arsimit të dyfishtë - koncept bashkëkohor i arsimit që siguron më shumë aftësime praktike për nxënësit edhe atë drejtpërdrejt në kompani.
“Me konkursin e ri për vitin shkollor 2021-2022 do të hapen 97 paralel të dyfishta me një vëllim të shtuar të aftësimit praktik për 2.001 nxënës nga 11 paralelet që janë nga programet ekzistuese, kurse 86 paralelet janë rezultat i bashkëpunimeve të reja midis shkollave dhe kompanive dhe u bëjmë thirrje nxënësve të rinj, që kryejnë shkollën fillore, gjatë përzgjedhjes së shkollës së mesme të marrin në konsideratë informacionin për atë se sa një lloj i caktuar i arsimit ofron mundësi punësimi dhe një të ardhme të sigurt dhe me perspektivë. Gjithashtu, duhet ditur se ka një rritje për 10 fish i bursave që u ndahen nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm profesional. Ne po investojmë në arsim më shumë se më parë, sepse mendojmë se kjo është rruga e duhur për të rinjtë, por edhe për një zhvillim më të shpejtë ekonomik. Gjithashtu, do të stimulojmë atraktivitetin e arsimit të mesëm profesional duke siguruar një fond prej 2.200 bursa për nxënësit e vitit të parë, në një vlerë totale prej rreth 60 milionë denarë. Nxënësit që do të regjistrohen në një paralele të dyfishtë do të marrin një shumë mujore prej 3.500 denarë për 9 muaj gjatë vitit” përfundoi fjalimin e vet zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi.