Kryeministri Zaev në Forumin Ekonomik të Vjenës: Plani investues për Ballkanin Perëndimor do të krijojë rritje të qëndrueshme dhe vende të reja të punës

Kryeministri Zoran Zaev tradicionalisht edhe këtë vit mbajti fjalim në Forumin Ekonomik të Vjenës, kushtuar Planit investues dhe ekonomik për Ballkanin Perëndimor, me të cilin është paraparë financim deri në 9 miliardë euro për investime në sferat e transportit,energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital.

Në Forumin Ekonomik të Vjenës fjalim mbajtën edhe Oliver Varheji, Eurokomisar për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim të BE-së, Janez Jansha, Kryetar i Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, Tomas Arnolder, drejtor ekzekutiv i Grupacionit A1 Telekom Austria, nikoqir i kësaj ngjarje të Forumit Ekonomik të Vjenës, si dhe Petar Umundum, Kryetar Forumit Ekonomik të Vjenës.

Kryeministri Zaev theksoi se Forumi Ekonomik i Vjenës është jashtëzakonisht i suksesshëm dhe e realizon misionin  e vet për të qenë pikë për avancimin e bashkëpunimit rajonal ekonomik të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore. Ai shtoi se Qeveria me mbështetjen e të gjithë aktorëve në shoqëri, si dhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare financiare  krijoi masa për zbutjen e efekteve nga pandemia me plan për rritjen e ekonomisë në afat të mesëm dhe të gjatë.

“Posaçërisht është me rëndësi që u përkushtuam në krijimin e ambientit për tejkalimin më të lehtë të pasojave ekonomike nga virusi korona dhe zbatimin e strategjisë së lehtë për dalje për të vazhduar me trendet pozitive së ekonomisë së re zhvillimore të vendit. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut në fillimin e këtij viti janë përcaktuar trende inkurajuese që janë rezultat i gjashtë pakove të masave ekonomike gjatë 12 muajve të fundit. Kjo dëshmohet nga të ardhurat e buxhetit që janë më të larta se në periudhën para krizës: 4.4% është rritja e të ardhurave totale, 5% është rritja e tatimeve dhe kontributeve. Të gjitha pakot e masave anti krizë për mbështetje të ekonomisë në fokus i kanë qytetarët, vendet e tyre të punës, sigurinë sociale dhe solidaritetin”, tha Zaev i cili bashkë me Kryeministrin Jansha është patron i Forumit Ekonomik të Vjenës.

Kryeministri Zaev nënvizoi se rritet eksporti, prodhimi industrial dhe tregtia. Për më tepër, rritje është regjistruar në sferën e kreditimit të bizneseve dhe qytetarëve, si dhe në pagën mesatare neto.

“Projektojmë rritje prej  4.1 %, me eksporte që pritet të rriten për 14 %, rritje bruto të investimeve prej 7.7 %, konsum privat rritje real prej 3.5 %, konsum publik prej 4.3 %, ndërsa numri i punëtorëve parashikohet të rritet me 1.9 % dhe papunësia të bjerë në përputhje me rrethanat. Përpiluam Plan të ri për financimin e rritjes së përshpejtuar (Growth Acceleration Financing Plan) si një dokument strategjik i Qeverisë, i cili synon të stimulojë rritjen ekonomike duke gjetur mekanizma dhe burime të reja të financimit, por gjithashtu të ndikojë në konsolidimin fiskal, pra ngushtimin e deficitit dhe stabilizimin e borxhit publik ", tha Zaev dhe shtoi se ky plan është në përputhje me projektet prioritare që i definojnë prioritetet nacionale për investime kapitale në 4-5 vitet e ardhshme, i njëjti është komplementar i mundësive që i ofron Plani ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian.
 

Kryeministri Zaev rikujtoi që në Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Sofje, Maqedonia e Veriut u kyç në nënshkrimin e deklaratave politike që do të përshpejtojnë rritjen e ardhshme ekonomike.

“E para është për zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal mes gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor, ndërsa e dyta është për zbatimin e Agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të përgatitur nga Komisioni Evropian. Të dy proceset do të çojnë në përforcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik rajonal, i cili do të përshpejtojë më rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Bashkë me Planin për investim ekonomik të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ndan deri në 9 miliardë euro për të gjithë rajonin në vitet e ardhshme, do të krijojmë një bazë të fortë për perspektivat e ardhshme të rajonit. Unë jam optimist se investimet në transport, energji, tranzicion të gjelbër dhe digjital do të krijojnë rritje të qëndrueshme dhe vende pune”, potencoi Zaev.

Përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor, deri më tani janë financuar 23 projekte në vlerë prej rreth 2,1 miliardë euro grante dhe hua në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Plani evropian për investim për Ballkanin Perëndimor pritet të krijojë ndikim të ri, të fuqishëm dhe pozitiv mbi rimëkëmbjen ekonomike të rajonit, të mbështesë tranzicion të gjelbër dhe digjital. Kryeministri nënvizoi se institucionet nacionale veçse punojnë me përkushtim të madh në procesin e planifikimit të projekteve të parapara që i plotësojnë kriteret të mbështeten me qëllim që të shfrytëzohen në mënyrë efikase mjetet e parapara nga Plani ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor.