Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, u takua sot me ambasadorin e Republikës së Francës, Siril Bomgartner, zëvendës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Oto Graf, delegacionin e Agjencisë franceze të zhvillimit (AFD) dhe drejtorin e Shoqërisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ), David Oberhuber, ku bisedoi për avancimin e bashkëpunimit midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe agjencitë zhvillimore të të dy vendeve me qëllim të realizimit të projekteve të efiçiencës energjetike.
Zëvendëskryeministri Bytyqi, duke folur në takim, tha se Qeveria e Republikës së Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar në realizimin e qëllimeve prioritare për zhvillim të qëndrueshëm dhe Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara, me çka do të mundësohen kushte më të mira për jetesë për qytetarët, dhe njëkohësisht do të zbatohen reformat për anëtarësim të vendit në BE.
Bytyqi theksoi se si një anëtar themelues i Komunitetit Evropian të Energjisë, Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar ka bërë hapa të mëdha në miratimin e shumë dokumenteve, strategjive dhe politikave të rëndësishme, në të cilat janë transponuar direktivat e sektorit energjetik. Të gjitha këto aktivitete, në lidhje me reformat në energjetikë dhe efiçiencës energjetike, kushtëzuan miratimin e një Ligji të ri për energjetikë dhe Ligjin për efiçiencë energjetike, si dhe Strategjinë e energjetikës deri në vitin 2040, kurse në proces të aprovimit është edhe Plani nacional i energjetikës dhe klimës, të cilat ofrojnë bazën për prodhimin më të madh të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, por edhe politikat e kursimit të energjisë përmes futjes së teknologjive dhe teknikave për efiçiencën energjetike. Gjithashtu, theksoi se Maqedonia e Veriut është një nga vendet e para në rajon që është angazhuar për ambicie më të larta në drejtim të zvogëlimit të emetimeve të gazeve serë, e cila lidhet me betejën me ndryshimet klimatike. Bytyqi theksoi se një numër i projekteve kanë filluar, veçanërisht në sektorin e energjisë, siç është themelimi i Fondit nacional për efiçiencë energjetike, Projekti i tranzicionit të drejtë, i cili do të mundësojë kujdes për kategoritë sociale të qytetarëve.
Pikërisht efiçienca energjetike njihet si një fushë në të cilën mund të intensifikohet bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut me Francën dhe Gjermaninë, të cilat përmes agjencive të tyre të zhvillimit do të mundësonin ndihmë teknike dhe profesionale për të bërë analiza të përshtatshme, studime, dokumentacion të projektit, dhe më pas në një bashkëpunim të përbashkët me Fondin e gjelbër të klimës dhe organizata të tjera financiare ndërkombëtare që të realizohen projekte të rëndësishme për qytetarët.
Kjo është vizita e dytë e një delegacioni të Agjencisë franceze të zhvillimit brenda një muaji, e cila tregon angazhimin e fortë për të rritur bashkëpunimin midis dy vendeve dhe praninë më të madhe të FAR në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës njëjavore, Programi PEEB COOL që synon efiçiencën energjetike në ndërtesat publike dhe private iu prezantua disa institucioneve shtetërore dhe sektorit privat. Bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut, Francës dhe Gjermanisë, me mbështetjen e Fondit të gjelbër të klimës, në vitet e ardhshme pritet dukshëm të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të përcaktuara në dokumentet e planifikimit dhe ato strategjike të vendit, si dhe Plani nacional i efiçiencës energjetike. Zbatimi i masave të përcaktuara në këto dokumente do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror për përfitimet e futjes së teknikave dhe teknologjive të reja për efiçiencën energjetike, të cilat do të sigurojnë kushte më të mira jetese për qytetarët dhe një standard më të mirë të jetesës.