Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot vizitoi kompaninë Luteks, e vendosur në fshatin Orizare të Poshtme në komunën e Velesit, ku u takua me pronarin e kompanisë Markus Tuç dhe vizitoi repartet e prodhimit.
Zëvendëskryeministri Bytyqi shprehu kënaqësinë që me investimet e kësaj kompanie, e cila është pjesë e STS Tekstajl të Gjermanisë dhe prodhon tekstil industrial dhe teknik, që u rehabilitua ish-fabrika "Nonça Kamishova", e hapur qysh në vitin 1950.
“Kjo kompani në katër vitet e kaluara ka investuar rreth 2,5 milionë euro, nga të cilat 1,5 milionë janë në vitin 2020 dhe 2021 dhe ka punësuar rreth 100 persona nga Velesi dhe rrethina. Ajo që më gëzon janë planet e tyre për zgjerimin e prodhimit dhe deri në fund të vitit 2021 dhe në vitin 2022, planifikojnë të bëjnë investime të reja prej rreth 1,2 milionë euro, të cilat do të hapnin vende të reja pune për qytetarët”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri theksoi se të gjitha kompanitë e orientuara drejt eksportit duhet të mendojnë për investime të reja në periudhën pas Covidit, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të kthehet koha e humbur dhe më shpejt të dilet nga situata e shkaktuar nga pandemia globale nga koronavirusi.
“Jemi dëshmitarë se imunizimi masiv i popullsisë në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në vendin tonë, ka filluar të japë rezultate, në raport me buletinin shëndetësor, dhe kjo sigurisht që është shumë e rëndësishme për normalizimin e rrjedhave ekonomike, duke pasur parasysh që BE është partneri ynë më i rëndësishëm ekonomik. Inkurajojnë zhvillimet pozitive në treguesit makroekonomikë, në mars të vitit 2021, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, për herë të parë pas një vit të tërë, shënojmë një normë serioze të rritjes së indeksit të prodhimit industrial prej 7,6%, indeksi i qarkullimit industrial në mars u rrit për 27,1%, shkëmbimi i tregtisë së jashtme në tremujorin e parë të vitit 2021 u rrit për 15,8%, ndërsa eksportet në të njëjtin tremujor u rritën për 18,1%. Këta janë tregues që tregojnë se ekonomia po ecën përpara, ekonomitë në Evropë po hapen dhe kjo ndikon pa mëdyshje në ekonominë tonë, e cila varet fuqimisht nga vendet evropiane”, nënvizoi Bytyqi.
Pronari i ndërmarrjes Luteks, Markus Tuç, tha se është i kënaqur me bashkëpunimin me pushtetin lokal dhe qendror, si dhe se në 5 vitet e fundit ai ka investuar vazhdimisht në makineri të reja dhe në avancimin e prodhimtarisë. Gjithashtu tha se pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka shkaktuar një ngadalësim të caktuar të proceseve, për shkak të ndalimeve të lëvizjes dhe pamundësisë për të instaluar makinat tashmë të blera dhe me të edhe të rritet produktiviteti i kompanisë.
“Jemi të kënaqur që investimi ynë nuk u godit aq fort nga kriza COVID-19, por përsëri duhej të stagnojmë me realizimin e investimeve të caktuara gjatë vitit të kaluar. Pas muajit shkurt të vitit të kaluar, askush nuk mund të udhëtonte për shkak të kufizimeve ndërkombëtare dhe ishte e pamundur të vazhdohej dinamika e investimeve. Me kënaqësi themi se e kemi tejkaluar atë dhe që nga ky muaj, njerëzit dhe teknologjia tashmë mund të udhëtojnë. Tashmë kemi instaluar dy makina të reja, andaj jemi të sigurt që do të përmbushim detyrimet tona në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara. Më tej, dua të ndaj me ju se me njerëzit këtu po bëhemi si një familje e madhe dhe do të kujdesemi për ta dhe jemi të sigurt që në të ardhmen do të rritemi dhe zhvillohemi së bashku. Muajin tjetër do t’i diskutojmë të gjitha planet e ardhshme të zhvillimit”, tha pronari i Luteks Markus Tuç.