Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevi sot i priti ministrat e punëve të jashtme të Austrisë, Aleksander Shalenbergun, të Sllovenisë Anzhe Logarin dhe të Çekisë, Jakub Kuhanekun, të cilët janë për vizitë njëditore në vendin tonë.
Në bisedimet gjatë takimit në plan të parë ishin temat aktuale lidhur me proceset eurointegruese të Maqedonisë së Veriut dhe në këtë rast kryeministri Zaev e shprehu mirënjohjen e qytetarëve tanë për mbështetjen dhe ndihmën që këto vende na e japin në procesin eurointegrues për Ballkanin Perëndimor si të rëndësishëm për ekonominë postkovid dhe për rimëkëmbjen e vendeve nga pasojat e pandemisë, kumtoi pres shërbimi qeveritar.
“Si vend kandidat për anëtarësim presim tashmë 16 vjet dhe si Qeveri me çdo procedurë tonën, me çdo gjest, me çdo politikë që e realizojmë, tregojmë respekt në të gjitha vlerat evropiane. Ndërmarrim hapa për reforma më të mëdha në ekonomi dhe arsim si procese të ndërlidhura reciproke, por punojmë në reforma intensive në çdo sferë të shoqërisë”, theksoi Zaevi.
Kryeministri Zaev u ndalë edhe në mundësitë për zhbllokim të procesit të inkuadrimit tonë në BE dhe theksoi se qëllimi ynë – anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.
"Ne jemi të përkushtuar fuqimisht për të gjetur një zgjidhje për problemin që Bullgaria ka hapur dhe theksojmë edhe një herë se nuk do të diskutojmë çështje identiteti, sepse ajo është një vlerë themelore evropiane dhe ne jemi mirënjohës për mirëkuptimin që kemi gjetur në Bruksel dhe në vendet e tjera anëtare të BE mbi këtë çështje", shtoi Zaev.
Kryeministri Zaev e shprehu edhe respektin e tij ndaj presidencës portugeze me BE-në dhe për përpjekjet e tyre që të zgjidhet ky problem me propozim zgjidhjet të cilat ministri portugez i Punëve të Jashtme Augusto Santosh Silva dje i prezantoi në Shkup dhe Sofje, të cilat si Qeveri i vlerësojnë si bazë zë mirë për zgjidhjen e çështjeve që Bullgaria i ka hapur lidhur me Maqedoninë e Veriut.
Në takim të tre ministrat në mënyrë decide qëndruan pas propozimit të presidencës portugeze duke e vlerësuar si një hap kryesor me të cilin do të përforcohet ritmi në proceset eurointegruese. Ministrat u pajtuan se Maqedonia e Veriut me sukses i ka përfunduar të gjitha reformat e parapara të cilat duhet të garantojnë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe tani në radhë është Bashkimi Evropian ta përmbushë premtimin.