Kryeministri Zaev dhe Presidenti Radev nga Sofja: Kemi obligim që të ndërtojmë miqësi mes dy popujve vëllazëror

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, bashkë me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministrin për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev në kuadër të agjendës së vizitës së punës në vendin fqinj.

Në takim u theksua se vizita e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në nivel të lartë është me rëndësi dhe vjen në moment kur dinamika e fuqishme e kontakteve dhe dialogu është me rëndësi të madhe mes dy vendeve.

Dy bashkëbiseduesit në takim theksuan se perspektiva e qartë evropiane e Maqedonisë së Veriut është e rëndësishme për Republikën e  Bullgarisë dhe realizimi konkret i saj i konvenon të ardhmes së përbashkët të dy vendeve në BE.

Kryeministri Zaev në takim theksoi se ndërtimi i miqësisë mes dy popujve vëllazëror është obligim i liderëve që para vete duhet ta kenë perspektivën e të rinjve.

Vetë vizita e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të konsiderohet si hap i rëndësishëm i cili do t’i nxisë hapat e ardhshëm për çështjet e hapura të cilat të dyja vendet do t’i kushtojnë vëmendje serioze.