Osmani me paraqitje hyrëse në panelin: “Ndërtimi i besimit përmes dialogut” në Forumin e Prespës në Ohër

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pati paraqitje hyrëse në Sesionin e Ministrave të Punëve të Jashtme “Ndërtimi i besimit përmes dialogut” në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, i cili sot dhe nesër mbahet në Ohër dhe Oteshevë.

Në paraqitjen e tij, Osmani hapi disa tema, të cilat njëkohësisht janë sfidë e Forumit, siç është dialogu, besimi dhe gjithsesi çështja e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për Ballkanin Perëndimor në çfarëdo koncepti kohor, Osmani theksoi se dialogu mund të identifikohet si mungesë kyçe në rrethin politik përkatës. Si vend me model autentik të integrimit të brendshëm dhe të jashtëm, ai theksoi disa projekte politike autentike të suksesshme të cilat paraqesin thelbin e kësaj konference.

 “Tanimë 20 vite Maqedonia e Veriut po funksionon në paqe dhe stabilitet; për arsye se Marrëveshja Kornizë e Ohrit siguroi model autentik të integrimit të brendshëm dhe të bashkëjetesës, që mund të them se janë unike jo vetëm në Ballkan, por mund të paraqesin shembull edhe për vendet nga fqinjësia më e gjerë, që janë pjesë e BE-së. Ky model quhet demokraci multietnike funksionale – me ç’rast secila nga këto fjalë ka porosi të thellë me rëndësi të veçantë. Nëse bashkëjetesa, barazia, liria, solidariteti janë vlera evropiane, atëherë Maqedonia e Veriut dhe Ohri, si simbol i marrëveshjes kornizë, janë qendra më e madhe për promovimin dhe shpërndarjen e këtyre vlera të Ballkanit”, theksoi Osmani.
 
Duke folur për mirëbesimin, Osmani ishte preciz dhe theksoi se zhvillimi i dialogut pa mirëbesim, nuk krijon, nuk jep rezultate të dëshiruara, as atëherë kur dialogu shpallet si i suksesshëm.
 
Në lidhje me pjesën që mungon – Ballkani Perëndimor si pjesë e pandashme nga Evropa, dhe në të ardhmen, e integruar plotësisht në Bashkimin Evropian, Osmani potencoi:
 
“Them plotësisht, për arsye se Ballkani prej kohësh është çështje e brendshme e Unionit dhe pjesë e proceseve dhe politikave të Unionit. Merreni cilindo vend që dëshironi nga rajoni, i cili në mënyrën e vet  ka hyrë në procesin e Stabilizim Asociimit, çdonjëri prej tyre ka të dhëna për të cilat do t’ju tregojë se në cilën shkallë është sistemi shoqëror i tij i konverguar dhe i ndërlidhur me Unionin. Në fund, shikojeni hartën e Evropës dhe a mundet vallë dikush ende të flasë për zgjerimin, kur kjo pjesë e verdhë, assesi nuk i ndryshon dimensionet as të Evropës, as të BE-së”.

Ministri Osmani, në këto tema të panelit, debatoi me ministrat e punëve të jashtme të Shqipërisë – Xhaçkën, Malit të Zi – Radulloviqin, Kosovës – Gërvallën dhe Kroacisë – Radmanin, me zëvendësministrat e punëve të jashtme të Greqisë – Fragojanisin, Republikës Çeke – Hmerllarzhin dhe Turqisë – Kajmakçinin, me të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Lajçakun, sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Europës – Buriqin, zëvendësndihmës sekretarin shtetëror të ShBA-ve – Palmerin, ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së – Jençanin dhe monsinjorin Vaçovskin. Sesioni u moderua nga ana e gazetarit të shquar dhe analistit të “The Economist” Tim Xhuda, ndërsa reporter i sesionit ishte analisti Kristof Bender.