Gjithsej 5,7 milionë euro do të ndahen për mbështetjen e 103 kompanive, projektet e të cilave janë miratuar për mbështetje financiare në thirrjen publike “Grantet e bashkëfinancuara për zhvillimin teknologjik për rritje të përshpejtuar”, njoftuan sot në një konferencë të përbashkët shtypi zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi dhe drejtori i Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik, Kosta Petrov.
Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se se një numër rekord i aplikacioneve ishin dorëzuar në këtë thirrje publike, gjë që dëshmon se në vendin tonë ekziston një numër vërtet i madh i entuziastëve dhe ndërmarrësve të cilët, falë instrumenteve të tilla, marrin guximin të krijojnë një projekt dhe ta bëjnë atë realitet.
“Me përzgjedhjen përfundimtare pas thirrjes publike për grante të bashkëfinancuara për zhvillimin teknologjik, u miratua mbështetja e gjithsej 103 kompanive me 2149 të punësuar. Siç është zakon me instrumentet e FIZHT, shumica janë kompani të vogla, gjithsej 69, mikro kompani janë 21 dhe kompani të mesme janë 13. Krahasuar me vitin e kaluar dhe me Thirrjen Publike për grantet e bashkëfinancuara për adaptim të shpejtë nga COVID-19, për të cilat buxheti arriti në 1,5 milionë euro, sivjet kompanitë e zgjedhura do të marrin mbështetje në vlerë prej 5,7 milionë euro, që shënon një rritje të financave për 280%, me vlerë të përgjithshme të projekteve prej 11 milionë euro”, theksoi Bytyqi.
Zëvendës Kryeministri theksoi se Fondin e Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik e bëmë shtëpi të vërtetë për të gjitha kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, kurse në portofolin e tyre për vetëm katër vjet, me këto që po promovojmë sot, tashmë kemi 646 subjekte që kanë realizuar, janë duke realizuar ose do të fillojë të realizojnë projekte me vlerë të përgjithshme prej 85,3 milionë euro.
“Ndjehem i lumtur që një përqindje solide e numrit të përgjithshëm, pothuajse 30% e kompanive janë startap, kompani të reja, që do të thotë që ne kemi kontribuar në zhvillimin e ideve, bizneseve dhe koncepteve të reja. Në të vërtetë, ky është thelbi kryesor i mbështetjes financiare që ne e sigurojmë si Qeveri, përmes Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik. Inkurajim të entuziastëve që të guxojnë ta shndërrojnë idenë e tyre unikate në realitet, kurse ne t’u ndihmojmë dhe t’ua shtrijmë dorën kur ata kanë më shumë nevojë. Si njeri që është mbështetës i fortë i pjesëmarrjes më të madhe të grave në biznes, do të doja të theksoja se jam krenar për faktin se ka një interes dukshëm të rritur midis grave ndërmarrëse nga të gjitha rajonet e vendit. Nga të përzgjedhurit, pothuajse 70% e kompanive kanë një grua si pronare ose menaxhere”, potencoi Bytyqi dhe Qeveria njeh potencialin e njerëzve krijues dhe të vyeshëm, dhe kjo është arsyeja pse ne krijojmë instrumente dhe mënyra të ndryshme përmes të cilave mund t'i ndihmojmë ata të realizojnë idetë e tyre.
Drejtori i FIZHT, Kosta Petrov, tha se nga projektet e miratuara, 81 janë të reja, ndërsa 22 janë kompani që tashmë janë përfituese të mbështetjes financiare për disa nga thirrjet publike të FIZHT. Ai theksoi se me këtë thirrje publike, FIZHT inkurajoi të rinjtë për të zhvilluar zgjidhje dhe mundësi inovative për të përballuar sfidat me të cilat përballen, zgjoi interes të madh, siç dëshmohet nga fakti se kjo thirrje publike mori një numër rekord të aplikimeve të 706 kompanive, nga të cilat 540 janë kompani që aplikojnë për herë të parë në një nga thirrjet publike të Fondit.
“Kompanitë e zgjedhura do të punojnë në projekte në 16 fusha të ndryshme, kryesisht nga: industria e teknologjisë, ndërtimtaria, shëndetësia dhe bujqësia. Sa i përket strukturës organizative, 62 kompani janë SHPKNJP, 31 kompani janë SHPK, 9 janë ISHP dhe një kompani është SHA. “Shumica e kompanive (74) janë mbi 6 vjeç, ndërsa kompanitë e tjera (29) janë startap kompani”, tha Petrov.
Drejtori i Fondit gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij që gjithnjë e më shumë kompani, të udhëhequra nga gratë, po aplikojnë me projekte cilësore në instrumentet e Fondit.
“Në mënyrë që të zhvillohet ndërmarrësia e grave, një fakt pozitiv është se ka një interes të shtuar në mesin e grave ndërmarrëse nga të gjitha rajonet në vend, kështu që analizat e FIZHT tregojnë se 70 kompani kanë një grua si pronare ose menaxhere. Kompanitë vijnë nga 20 qytete nga i gjithë vendi, kryesisht nga: Shkupi, Strumica, Tetova, Gostivari dhe Manastiri”, tha Petrov.
Drejtori i Fondit e shpjegoi gjithë procedurën deri në zgjedhjen përfundimtare. Ai tha se me lansimin e thirrjes, Fondi u përball me interesimin më të madh, rekord të shprehur për instrumentet e FIZHT nga kompanitë, për bashkëfinancim të përbashkët. Mbi 700 kompani aplikuan për këtë thirrje publike, me ç’rast shuma e kërkuar ishte 6 herë mbi buxhetin e përgjithshëm prej 6 milionë euro.
“Kjo tregon se kompanitë kanë besim në proceset e vendosura të Fondit, si dhe në vlerësimin që bëhet tërësisht nga persona të jashtëm. Në fazën e parë, kompanitë kaluan në zgjedhjen primare të projekt propozimeve, në të cilën vlerësimi u krye nga ekspertë vendas nga 22 fusha. Në fazën e dytë (faza e vlerësimit përfundimtar) ishin kompanitë që morën një vlerësim mesatar prej të paktën 51 pikë. Në përzgjedhjen përfundimtare, 585 kompani u vlerësuan nga Komiteti i Miratimit të Investimeve, i cili përbëhet nga pesë ekspertë të lartë, ndërmarrës me përmasa botërore: Marvin Liao, ish-drejtor komercial në Yahoo!, Asher Sidiki, i cili është pjesë e ekipit menaxhues që drejtoi transformimi i Etisalat në Emiratet e Bashkuara Arabe, Noel Gregor Paterson Xhons, ekspert ndërkombëtar dhe anëtar i Fondit të Strategjisë Evropiane të Investimeve si dhe këshilltar special i Bankës Botërore në Programin e obligacioneve në Ugandë Gynter Felinger, Sekretari i Përgjithshëm i CEE BC – Austri dhe Vibu Sharma i cili është ekspert në fushën e ekonomisë qarkore, me përvojë shumë vjeçare në inovacione dhe lansimin e produkteve të reja”, shpjegoi Petrov .
Drejtori i FIZHT vuri në dukje se kompanitë që nuk ishin mbështetur në thirrje, morën udhëzime nga Komiteti se si të përmirësojnë propozimet e projektit dhe të aplikojnë përsëri.
“Qëllimi ynë nuk është të dekurajojmë, por të mbështesim aplikuesit, dhe kjo është arsyeja pse mundësitë për kompanitë nuk mbarojnë kur një projekt refuzohet. Në praktikën e deritanishme, ne kemi një numër solid të ndërmarrjeve që në thirrjet vijuese publike u mbështetën me projekte të përmirësuara. Kjo na motivon fuqimisht për të përmirësuar më tej proceset, për të rregulluar instrumentet dhe për të rritur mbështetjen për kompanitë aplikuese, të gjitha në mënyrë që të plotësojmë nevojat e sektorit privat”, përfundoi drejtori i Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik, Kosta Petrov.
Lista e kompanive të zgjedhura është në dispozicion në faqen e internetit të Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik.