Me fjalimet e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, si organizatorë dhe në koordinim dhe bashkëpunim me odat ekonomike të tre vendeve, sot në Shkup filloi Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal.
Me përfaqësues të mbi 350 kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe qindra përfaqësues të odave ekonomike dhe të komuniteteve të biznesit nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe më shumë vende të tjera më gjerë nga rajoni fillon epoka e re e bashkëpunimit në rajon, theksoi Kryeministri Zaev në fjalimin e tij.
“Kjo pjesëmarrje masive në këtë ngjarje dhe interesi për të qenë palë aktive të një ndërlidhjeje edhe më të fuqishme dhe më të organizuar të rajonit, është mesazh i fuqishëm se Ballkani po fillon të krijojë nivel më të lartë të mirëkuptimit dhe se ndërlidhja ekonomike dhe krijimi i ambientit dinamik dhe vital ekonomik rajonal është dëshirë dhe ambicie e përbashkët”, potencoi Zaev.
Ai shtoi se kjo energji e re është shprehje e përkushtimit maksimal të liderëve të të tre vendeve për bashkëpunim rajonal efikas.
“Ky është vullnet i fuqishëm politik. Ne ndërlidhemi për zhvillimin e ekonomive tona, për ndërtimin e një ekonomie të përbashkët, për një jetë më të mirë të secilit prej qytetarëve tanë. Ne ndërlidhemi me një synim të qartë, të hapur dhe publik që popujt tanë të ndiejnë përfitimet e menjëhershme të drejtpërdrejta, përfitimet ekonomike nga lehtësimet që i sigurojmë. Presim që shumë shpejtë përfitimet të ndjehen në buxhetin vendor të miliona familjeve, në cilësinë e jetesës së miliona qytetarëve”, theksoi Kryeministri Zaev.
Kryeministri Zaev shtoi se kjo që sot ndërtojmë del nga vlerat evropiane sepse në vete, në themelet e saj përmban katër liritë e Bashkimit Evropian – Lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
“Për realizimin e këtyre lirive, sot si fillim do të nënshkruhet një marrëveshje dhe dy memorandume bashkëpunimi. Për të siguruar kushtet për realizimin e këtyre lirive, ne dëgjuam apelin e biznesmenëve nga i gjithë rajoni dhe filluam procedurat për minimizimin ose eliminimin e plotë të procedurave administrative aty ku është e mundur", tha Kryeministri Zaev në fjalimin e tij në hapjen e Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal.
Zaev theksoi se dështimi i BE-së për të përmbushur premtimet për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe klasteret për Serbinë dhe Malin e Zi, është kundër idesë evropiane, kundër interesave të vetë BE-së dhe në kundërshtim me përcaktimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të këtyre dy vendeve që kanë përmbushur të gjitha kriteret për atë, dhe se ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të presim që të zgjidhen të gjitha problemet e brendshme të Bashkimit Evropian për të ecur para.
"Rajoni ynë ka afërsisht 18 milionë njerëz dhe ky është një kapital shumë serioz për të përforcuar ekonomitë tona. Për të rritur mirëqenien e njerëzve tanë dhe për të sjellë investime të mëdha. Kjo arrihet shumë vështirë nëse e bëjmë individualisht", tha Kryeministri Zaev.
Në përfundimin e fjalimit të tij, Kryeministri Zaev theksoi se iniciativa është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i ftoi dhe inkurajoi edhe vendet e tjera nga rajoni të bëhen pjesë e kësaj iniciative.
“Ta bëjmë vizionin për hapësirë të përbashkët politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor realitet me përfitime konkrete për të gjithë qytetarët tanë. Ta bëjmë pjesë të rëndësishme të përditshmërisë së qytetarëve tanë përmes tregut të vetëm”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq në fjalimin e tij në Forum theksoi se që nga fillimi vizioni për këtë iniciativë konfirmoi se është për ardhmërinë tonë dhe prandaj me kryeministrat Zaev dhe Rama kanë rënë dakord që në vend që të shikojnë të kaluarën, të fokusohemi në të ardhmen që t’u lëmë një të ardhme gjeneratave të ardhshme.
Presidenti Vuçiq theksoi se përmes procesit të përgatitjes së iniciativës është zhvilluar besim i sinqertë mes liderëve, qeverive dhe popujve mes tre vendet dhe se çdo propozim nga cilido është përfitim i barabartë për të gjithë qytetarët nga rajoni.
Vuçiq potencoi se askush nuk duhet të pret që dikush tjetër të bëjë punën që duhet vendet e rajonit ta bëjnë vetë dhe se me procesin e hapjes së tërësishme të vendkalimeve kufitare në rajon shkruhet histori.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ndërlidh me fjalimin e Presidentit të Serbisë Vuçiq dhe theksoi se nuk ka pse të mbetemi të mbyllur në kufijtë tanë, me shpinë të kthyer nga njëri tjetri dhe se kjo që do ta bëjmë në BE nesër, fillojmë ta bëjmë sot dhe këtu në rajon.
Rama theksoi se liderët dhe popujt e rajonit vendosën të bëjnë gjithçka që nevoji9tetdhe të mos presim që integrimi i rajonit të varet nga BE-ja.
Kryeministri Rama shtoi se dita e sotme mori edhe një tjetër dimension në madhësi dhe kuptim dhe për shkak të pjesëmarrjes së madhe të personave afarist jo vetëm nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por edhe nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Greqia dhe shumë vende të tjera.
Ai e quajti këtë iniciativë për Shqipërinë strategjike dhe potencoi se pikërisht ky mozaik fuqishëm flet për vlerën e kësaj iniciative dhe për atë se sa njerëzve në biznes u nevojitet kjo iniciativë dhe se hapësira e përbashkët rajonale ekonomike mund të arrijë më shumë nga ajo që vendet vetë dhe të ndara mund të bëjmë.