Filloi ndërtimi i projektit kapital që është me një rëndësi të madhe strategjike dhe energjetike, stacioni transformator 400/110 kV, në afërsi të Ohrit, që në praktikë do të thotë realizim i largpërçuesit 400 kV për ndërlidhjen e sistemeve elektropërçuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij hyrës në ngjarjen e organizuar nga MEPSO, theksoi e me këtë investim, në funksion të plotë do të vendoset korridori elektroenergjetik lindje-perëndim që do të thotë transit i energjisë elektrike nga Bullgaria, përmes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë deri në Itali.
“Investimi për këtë projekt kapital është i një rëndësie të madhe kapitale dhe është në vlerë prej 50 milionë euro. Bëhet fjalë për investimin më të madh në rrjetin transmetues elektroenergjetik në vend, që në përputhje me dinamikën e paraparë të punës pritet të përfundohet në vitin 2023. Ndërtimi i largpërçuesit interkonjektues 400 kV Manastir – Elbasan, do të thotë edhe kompletim i Korridorit 8, që është segment përbërës i një projekti shumë më të madh dhe të rëndësishëm që përfshin eksploatimin e resurseve energjetike nga rajoni kaukazian dhe nga Azia Qendrore drejt vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe Italia. Republika e Maqedonisë së Veriut ka pesë interkonjeksione të nivelit të tensionit 400 kV. Dy lidhje me Greqinë dhe nga një me Serbinë, Kosovën dhe Bullgarinë. Me ndërlidhjen e sistemeve elektropërçuese në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ne përfundojmë procesin e ndërlidhjes së vendit tonë me sistemet e transmetimit të energjisë të të gjitha vendeve fqinje. Vendi ynë ka një rol kyç në lidhjen rajonale të energjisë dhe prandaj ky investim është i një rëndësie të madhe për ne dhe tërë rajonin", tha Zaev dhe shtoi se me këtë investim kapital ne u dërgojmë një mesazh të gjithë investitorëve aktualë dhe të ardhshëm të vendit dhe të huaj se janë krijuar kushte për transmetim të sigurt dhe të besueshëm të energjisë elektrike.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij theksoi se edhe në kohë të pandemisë dhe krizës ekonomike, Qeveria nuk ndalet së investuari në infrastrukturë, para së gjithash në pjesën e energjetikës dhe sigurimin e stabilitetit energjetik në vend.
“Ndërtimi i largpërçuesit të interkonjeksionit 400 kV mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë do të kontribuojë në lidhjen dhe integrimin rajonal të tregjeve energjetike në rajon. Do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe do të jetë autostrada e re për transmetimin e energjisë elektrike që do të sigurojë qasje në energji dhe konkurueshmëri të çmimeve për të gjithë operatorët ekonomikë. Duke rritur bashkëpunimin rajonal në fushën e energjetikës, ne shohim mundësi dhe potencial të madh për krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimore. Realizimi i projekteve që janë për interkonjeksionin e burimeve energjetike me vendet e tjera janë prioritet për ne. Përveç ndërtimit të linjave të transmetimit për lidhjen e energjisë, janë të rëndësishme edhe projektet për lidhjen e gazit me vendet e rajonit, nga të cilat në fund do të përfitojnë të gjithë qytetarët me çmime më të ulëta dhe më konkurruese të burimeve të energjisë", tha Bekteshi.
Ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski theksoi se me këtë projekt sigurojmë furnizim cilësor dhe të pandërprerë me energji elektrike të ekonomisë dhe gjithashtu i tejkalojmë dhe zgjidhim sfidat që ekzistojnë në pjesën jugperëndimore të rrjetit të transmetimit.
"Në të gjithë këtë proces SHA MEPSO është kyçe dhe me këto dy projekte kapitale do të lidhen sistemet e transmetimit të energjisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me vendet e tjera fqinje dhe do të jenë në një pozitë dhe mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin sa herë që është e nevojshme. Të gjitha këto investime kontribuojnë në stabilitetin e sistemit të energjisë elektrike, siguri shtesë, ulin kostot e mirëmbajtjes dhe më e rëndësishmja, ne fitojmë besim më të madh të qytetarëve dhe sektorit real për këtë rrjet shpërndarës. Ne jemi duke investuar, modernizuar dhe po ndërlidhemi me rajonin, Ballkanin dhe tërë Evropën. Përmes projekteve të tilla, ne u dërgojmë një mesazh të gjithë investitorëve, vendas dhe të huaj, se ne po krijojmë kushte pune dhe se nevojat, në aspektin e energjisë elektrike do të plotësohen", tha Boçvarski.
Drejtori i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani tha se investimet dhe modernizimi i rrjetit transmetues janë prioritet.
"Sot së bashku po vendosim gurthemelin më të madh deri më tani, një nga projektet më domethënës në historinë e MEPSO-s, por edhe në rajonin më të gjerë, të cilin unë do ta quaja “Via Ignacia Energia. Ky investim me një vlerë totale prej pesëdhjetë milionë euro, i cili financohet me një grant prej 12 milionë të WBIF, 37 milionë kredi nga BERZH dhe fondet e veta të MEPSO-s, përfshin disa përbërës, ndër të cilët më të rëndësishmit janë linja e transmetimit 400 kV TC Bitola 2 - Kufiri shqiptar dhe ky Trafostacion që po e fillojmë sot. Trafostacioni 400 kV ka hyrje dhe dalje dhe tre dalje 110 kV në Ohër, Strugë dhe Resnjë. Marrëveshja u nënshkrua në janar të vitit 2020 me kompaninë kroate "Konçar", të zgjedhur në një tender ndërkombëtar, dhe është planifikuar të zgjasë deri në prill të vitit 2023. Krahas kushteve të vështira të shkaktuara nga pandemia, ne arritëm ta fillojmë këtë projekt të madh me vetëm disa javë vonesë dhe jemi të bindur se do ta përfundojmë në kohë", tha Ramadani.
Ilir Bejta, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, tha se ky projekt kapital hap mundësitë për investime të reja dhe dërgoi falënderim të madh për bashkëpunimin e përbashkët rajonal.
Në përfundimin e ngjarjes me fjalë mbështetëse dhe mirënjohëse fjalim mbajtën edhe drejtori i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Andi Aranitasi, si dhe Xhulijan Vasalo, zëvendës-shef i Delegacionit të BE-së.