Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot mori pjesë në panelin e diskutimit „Investimet publike dhe private dhe konkurrentshmëria” që u mbajt në kuadër të „Konferencës së parë vjetore të Ministrisë së Financave - Rimëkëmbja dhe rritja ekonomike pas COVID-it”.
Në panel krahas zëvendëskryeministrit diskutuan edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i transportit dhe lidhjeve, Blagoj Boçvarski, nënkryetarja e Bankës Evropiane për Investime, Liljana Pavlova, nënkryetari i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jyrgen Rigtering, drejtori rajonal i Korporatës ndërkombëtare financiare për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ari Naim, si dhe kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Danela Arsovska, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Nebi Hoxha dhe Jelisaveta Georgieva Jovevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë panelit, zëvendëskryeministri Bytyqi, foli për masat ekonomike të miratuara nga Qeveria për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë për të menaxhuar pasojat e krizës së shkaktuar nga koronavirusi COVID-19, si dhe efektet e masave të zbatuara.
„Në fillim të krizës, kishim disa opsione, për të parë se çfarë po bëjnë ekonomitë e tjera dhe për të bërë të njëjtën gjë, ose për të parë se cilat janë karakteristikat e ekonomisë sonë dhe për të hartuar masa për nevojat e ekonomisë. Në atë kohë, ministri aktual i financave dhe unë ishim këshilltarë të kryeministrit dhe bashkërisht vendosëm të ndiqnim logjikën tonë ekonomike, të ndiqnim strukturën e ekonomisë sonë. Në të njëjtën kohë kur përgatitim masat për trajtimin e pasojave të koronavirusit, duhet të përqendrohemi në masat që do të jenë për rimëkëmbje dhe zhvillim më të shpejtë. Tani që pakot janë zbatuar, treguesit ekonomikë janë vërtet pozitivë. Kemi përgatitur masa që kanë vlerë të përgjithshme prej 1,1 miliardë euro ose rreth 11% të PBB-së, këto janë mjete publike që synojnë të merren me pasojat e krizës nga koronavirusi, dhe kjo ka rezultuar që ne të jemi një nga vendet me rënie më e ulët të PBB-së, diku rreth 4,5% në fund të vitit 2020. Sipas parashikimeve dhe analizave tona, nëse nuk do të kishim zbatuar gjashtë pakot e masave, PBB-ja do të ishte për 8,7% më e ulët se në vitin 2019 dhe unë mendoj se ajo që kemi bërë është një sukses vërtet i rëndësishëm”, tha Bytyqi, duke iu referuar zbatimit të gjashtë pakove të masave ekonomike për kohëzgjatjen e krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Zëvendëskryeministri Bytyqi po ashtu elaboroi Planin Ndërhyrës për Investime deri në vitin 2027, me të cilin planifikohet rritje më e shpejtë dhe më e qëndrueshme ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
„Gjatë krizës, kishim kontakt të vazhdueshëm dhe bisedonim me institucionet financiare ndërkombëtare dhe të gjithë sugjeronin që secili vend individualisht të krijojë masa që do të stimulonin fuqishëm investimet private dhe publike. Nga këtu edhe u bë Plani Ndërhyrës për Investime, i cili në fakt është një plan që ka të bëjë për 7 vite dhe është në të njëjtën periudhë kohore me planet për mbështetjen e Komisionit Evropian nga 2021 deri në 2027. Ky plan parashikon investime prej 8,2 miliardë euro, nga të cilat mbi 50% janë investime nga sektori real. Kështu që ne do të mbështesim fuqishëm investimet private dhe paralelisht do të realizojmë investime publike në zonat kryesore. Investimet private janë të fokusuara në prodhimin, tregtinë, turizmin, prodhimin e ushqimit, pa e harruar sektorin e energjisë, i cili në të ardhmen do të jetë një nga kryesorët për rritjen e PBB-së. Nga ana tjetër, investimet publike do të jenë në radhë të parë në infrastrukturë, rrugë dhe hekurudha, por edhe investime në infrastrukturën shëndetësore dhe lokale komunale. Me Planin Ndërhyrës për Investime do të veprojmë mbi zhvillimin ekonomik në periudhën pas COVID-it dhe do të fokusohemi në disa synime. Qëllimi ynë kryesor do të jetë të inkurajojmë konkurrencën në nivel lokal, të jemi konkurrues dhe tërheqës si destinacion, por jo vetëm si një vend individual, por në nivel rajonal. Në këtë mënyrë, do të ndikojmë që të rrisim konkurrentshmërinë e mbarë rajonit, në vend që të krijojmë konkurrencë midis vendeve të rajonit,” tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri foli gjithashtu për masat që janë krijuar për të ndikuar në qëndrueshmërinë e ekonomisë ndaj krizave të mundshme në të ardhmen, dhe vuri në dukje aktivitetet e ndërmarra nga Qeveria për të zvogëluar presionin mbi borxhin publik dhe për të ruajtur likuiditetin buxhetor.
„Të gjitha masat ekonomike që Qeveria i ka krijuar vitin e kaluar, përveç mbështetjen e kompanive gjatë krizës, janë të destinuara edhe për rimëkëmbje pas krizës, duke pasur parasysh se sa e brishtë është ekonomia jonë. Duhet të pranojmë se jemi përballur me më shumë sfida globale; e para janë zinxhirët e prodhimit të industrive vitale, të cilat u prekën rëndë. Këtu kemi marrë parasysh nëse do të përgatisim masa për të mbështetur ekonominë lokale, për të qenë më konkurruese apo për të punuar në masa për të mbështetur ekonominë rajonale për t'u bërë më konkurruese. Ne në Qeveri kemi vendosur të punojmë në të dyja. Të punohet në ngritjen e konkurrencës së kompanive vendase për të qenë sa më konkurruese në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Mënyra e vetme për një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike në periudhën pas COVID-it është që tregu rajonal, që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e rëndësishme e zinxhirit global të prodhimit. Në atë drejtim, të gjithë ne, si vende, po përpiqemi të punojmë në krijimin e politikave të qëndrueshme ekonomike. Ne kemi përgatitur një plan afatmesëm për menaxhimin e borxhit publik, një plan afatmesëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike, dhe në të njëjtën kohë kemi përgatitur një plan ndërhyrës për investimet. E gjithë kjo së bashku, duhet t'u përgjigjet pyetjeve që lidhen me borxhin publik, për të rritur nivelin që kishim para fillimit të krizës COVID-19. Në të njëjtën kohë, ne ofrojmë një shans që ekonomia jonë të arrijë nivelin që mendojmë se duhet të jetë: të mundësojë rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike, e cila do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.