Kryetarët e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti, në fund të vizitës së punës së Qeverisë së Kosovës në vendin tonë me rastin e mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare, mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën theksuan se kanë arsye të shprehin kënaqësi të madhe nga puna në mbledhje e cila u vlerësua si historike dhe si pikë e avancimit të dukshëm të marrëdhënieve mes Shkupit dhe Prishtinës.
Kryeministri Zaev në fjalimin e tij theksoi se me vite dy shtetet zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunim të suksesshëm të udhëhequr nga parimet e mbështetjes dhe respektimit të ndërsjellë.
“Mbledhjen e parë të përbashkët që u mbajt sot mes qeverive të të dyja vendeve e konsideroj si impuls jashtëzakonisht pozitiv për zhvillimin e mëtejshëm dhe intensifikimin e marrëdhënieve tona dhe bashkëpunimin e tërësishëm. Edhe pse mbledhjen e përbashkët e realizuam në kushte të komplikuara për shkak të pandemisë me KOVID-19, ajo është shprehje e qartë e vullnetit tonë politik dhe interesave të të dyja vendeve që në mënyrë plotësuese t’i përforcojmë dhe të thellojmë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë”, potencoi Kryeministri Zaev në konferencën për shtyp.
Ai shtoi se Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën i ndërlidhin shumë interesa të përbashkëta dhe se në përputhje me këtë, ekonomitë e të dy vendeve janë të orientuara drejt njëra -tjetrës.
“Prandaj në pakon e marrëveshjeve të nënshkruara, mes të tjerash u gjendën edhe Marrëveshja për bashkimin e dy autostradave në vendkalimin kufitar Bllacë -Jankoviq në kuadër të ndërtimit të aksit të autostradës Shkup - Bllacë; Marrëveshja për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren - Tetovë; Marrëveshja për vendosjen e vendkalimeve të përbashkëta kufitare; si dhe Marrëveshja për projekt të përbashkët të skijimit që do të lidh Brezovicën me Kodrën e Diellit, e cila është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit", tha Kryeministri Zaev.
Ai shtoi se këto janë vetëm pjesë e gjithsej 11 marrëveshjeve, memorandumeve dhe programeve për bashkëpunim që përfshijnë edhe bashkëpunimin në projektet ndërkufitare me mbështetjen e programeve IPA të BE-së, bashkëpunimin në fushën e energjetikës, si dhe në planin e kulturës dhe promovimit të iniciativave të përbashkëta në inovacionet dhe zhvillimin teknologjik.
Zaev potencoi se për Maqedoninë e Veriut Kosova është një nga partnerët tregtarë më të rëndësishëm dhe se pret që këtë vit vlera e përgjithshme e tregtisë reciproke të tejkalojë shifrën prej 400 milionë eurosh.
Kryeministri Zaev tregoi se të dyja vendet ndajnë edhe një qëllim strategjik - aderimin në anëtarësimin e BE-së.
"Me këtë rast, dua të shpreh mbështetjen tonë të sinqertë për liberalizimin e vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian dhe të ritheksoj se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të ndajë me Republikën e Kosovës përvojat nga integrimi ynë në NATO deri në anëtarësimin e fqinjit tonë në aleancë”, theksoi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe shtoi se në atë drejtim e sheh dërgimin e 44 pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut në përbërjen e KFOR -it.
Në fund, kryeministri Zaev theksoi se sot ishte ditë e bukur dhe frytdhënëse dhe se është i bindur se në periudhën e ardhshme ministrat do të angazhohen për zbatimin e detyrave të marrëveshjeve të nënshkruara si shtytje për zhvillimin e bashkëpunimit edhe në shumë fusha të tjera në të ardhmen.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti në konferencën për shtyp e vlerësoi seancën e përbashkët të qeverive të të dyja vendeve si ngjarje historike në vitin kur Maqedonia e Veriut feston 30 vjet Pavarësi dhe Republika e Kosovës 13 vjet Pavarësi.
Kryeministri Kurti theksoi se është i bindur se seanca e përbashkët do të inkurajojë zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në disa fusha të reja.
Ai u falënderua për pritjen e ngrohtë dhe përgatitjen e shkëlqyer që i parapriu seancës së përbashkët, të cilën e quajti fazë të re për projekte të përbashkëta që duhet të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit midis vendeve tona.
“Deri më tani kemi 44, kurse tani edhe 11 marrëveshje të tjera dhe kjo në vetvete flet për bashkëpunimin dinamik dhe gjithëpërfshirës midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. "Si vende me qëllime të njëjta për integrimin evropian, shumë është i rëndësishëm bashkëpunimi ndërkufitar dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe transnacional, si dhe korrupsionit", tha Kryeministri Kurti në konferencën e shtypit pas seancës së përbashkët të qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.