Kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinimin të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, morën pjesë në ngjarje me rastin e hapjes së 50 vendeve të reja të punës si rezultat i iniciativës së “Filip Moris – Kombinati i Duhanit Prilep” (FMKDP) për zhvendosjen e Qendrës për Mbështetjen e Përdoruesit nga Athina në Shkup. Qendra filloi me punë në Shkup dhe prej andej do të kujdeset për klientët e produkteve të reja inovative të kompanisë në Maqedoninë e Veriut, por edhe në 4 vende të tjera të rajonit, Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Filiali i Kontakt Qendrës për Mbështetjen e Përdoruesit në Shkup është pjesë e gjigantit botëror "Teleperformance" e cila ka mbi 380 mijë të punësuar në mbarë botën që përfshijnë 83 vende. Kryeministri Zoran Zaev theksoi se ky investim tregon se politikat stimuluese të qeverisë për kompanitë po japin rezultate konkrete.
“I ftoj dhe i inkurajoj kompanitë të vazhdojnë të investojnë, ndërsa ne si Qeveri do të mbetemi të përkushtuar drejt zhvillimit të klimës së biznesit në vend. Kompanitë globale si “Filip Moris International” investojnë në inovacione dhe zhvillim, hapin mundësi të reja për të rinjtë të punojnë në ambient karakteristik për kompanitë e mëdha të njohura botërore. Kjo do të thotë gjithashtu një mundësi për avancim profesional sipas standardeve ndërkombëtare. Investimi i sotëm i kompanisë mundësoi që 50 të rinj të fillojnë karrierën e tyre në një kompani ndërkombëtare ku të rinjtë do të kenë mundësi për avancim profesional sipas standardeve ndërkombëtare. Mbajtja e të rinjve në vend dhe zhvillimi i kompanive në Maqedoninë e Veriut është imperativ për politikat ekonomike që ne zbatojmë. Ne investojmë shumë në këtë segment dhe jemi veçanërisht krenarë kur jemi në një ngjarje të tillë për të dëgjuar rezultatet, sukseset dhe planet për zhvillimin e sektorit privat”, theksoi Zaev.
Ivan Kostiq, drejtor i përgjithshëm i FMKDP-së theksoi se “Filip Moris International” hyri në tregun maqedonas në vitin 2014 përmes partneritetit strategjik me “Kombinatin e Duhanit Prilep”.
“Vendosëm bashkërisht standarde të reja dhe arritëm ta transformojmë industrinë e duhanit në vend. Nga njëra anë “Kombinatin e Duhanit Prilep” arrin rezultate të shkëlqyera që kanë të bëjnë me prodhimin e cigareve, ndërsa nga ana tjetër “Filip Moris” në Maqedoni e komercializoi IQOS, një pajisje inovative që ngroh por nuk e djeg duhanin dhe që ka potencial për të transformuar të gjithë industrinë e duhanit dhe për të siguruar një të ardhme pa tym duhani. Për atë arsye, është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua që jemi bashkë sot në prezantimin e iniciativës së "Filip Moris " për zhvendosjen e qendrës rajonale për mbështetje të përdoruesve të IQOS nga Athina në Shkup”, theksoi Kostiq.
Për rëndësinë e investimit foli edhe Mihel Shmit, drejtor kryesor ekzekutiv i “Teleperformans” Gjermani, i ngarkuar për filialin maqedonas i cili gjatë fjalimit të tij theksoi se nga viti 2020, Maqedonia e Veriut u bë vendi i 77-të në të cilin hapëm zyrë përfaqësuese.
“Bëhet fjalë për qendër ultra bashkëkohore për mbështetje të përdoruesit në Shkup, me të cilën hapëm 300 vende pune, ndërsa sot i njëjti numër zgjerohet me 50 punonjës të ri përmes zhvendosjes së qendrës për mbështetje të përdoruesve të “Filip Moris” nga “Teleperformans” Athinë në Shkup. Ne mbështesim të rinjtë që duan të punojnë në një kompani ndërkombëtare ku do të frymëzohen për të mësuar, rritur dhe zhvilluar. Ne ofrojmë mundësi të shkëlqyera pune, pagë atraktive dhe një atmosferë të këndshme pune në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë dhe të punojnë në vend. Mosha mesatare e punonjësve tanë është 28 vjet, nga të cilat 50% janë gra, ndërsa paga mesatare është rreth 700 euro, që është mbi pagën mesatare në vend", shtoi Shmit.
Në ngjarje morën pjesë edhe kryetari i Bordit Drejtues të “Kombinatit të Duhanit Prilep” Nikolla Xhambazovski,drejtori i përgjithshëm i “Kombinatit të Duhanit Prilep”, Kire Stankoski, si dhe përfaqësues të tjerë të “Teleperformans”.