Kryeministri Zoran Zaev mori pjesë në hapjen e hapësirës afariste për të punësuarit e Birrarisë Shkup, si pjesë e ciklit të ri investues, me të cilin kompania në dy vitet e ardhshme do t’i ndajë investimet e deritanishme në zhvillimin e saj të qëndrueshëm.
Në ngjarje u theksua se zyrat e reja janë reflektim i trashëgimisë së pasur dhe traditës së Birrarisë Shkup, ndërsa janë ndërtuar dhe janë pajisur sipas standardeve më bashkëkohore dhe trendeve teknologjike. Vëmendje të veçantë i është kushtuar ruajtjes së sigurisë dhe shëndetit të të gjithë atyre që do të qëndrojnë në ta, duke pasur parasysh kushtet e reja të punës shkaktuar nga pandemia me KOVID-19.
Kryeministri Zaev në fjalimin e tij theksoi se investimet e reja janë konfirmim dhe se krahas sfidave ka filluar procesi i rritjes ekonomike, si për kompanitë, ashtu edhe për qytetarët dhe për vendin tonë.
“Vendimi i Birrarisë Shkup për investime të reja është tregues më i mirë se në vend është realizuar shumë për t’u siguruar klimë e përshtatshme pune që i inkurajon investitorët dhe kompanitë të investojnë në zhvillimin e tyre, në krijimin e kushteve edhe më të mira për të punësuarit e tyre, në rritjen e mirëqenies së tyre dhe në krijimin e kushteve për punësime të reja te të rinjtë, që të mund ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre këtu, në atdheun e tyre”, tha Zaev, duke uruar Birrarinë Shkup për të gjitha investimet e reja të deritanishme.
“Mesazhi im deri te Birraria Shkup dhe deri te të gjitha kompanitë e tjera është se edhe më tej mund të mbështeten në partneritetin me Qeverinë gjatë realizimit të planeve të tyre investuese dhe të mos kenë mëdyshje për të investuar kapitalin e tyre këtu në Maqedoninë e Veriut”, shtoi Kryeministri Zaev.
Drejtori i përgjithshëm i Birrarisë Shkup, Goran Sklladiq tha se të punësuarit janë kryesorët për suksesin e Birrarisë Shkup.
“Prandaj vizioni ynë është të investojmë në projekte të cilat do ta nxisin kreativitetin, argëtimin dhe unitetin e punonjësve tanë. Ne besojmë se ky është një nga investimet më të vlefshme në zhvillimin e mëtejshëm të qëndrueshëm të kompanisë. Diçka për të cilën jemi veçanërisht krenarë është se këto ambiente bashkëkohore afariste do të jenë të hapura për komunitetin, veçanërisht për të rinjtë. Krahas programeve tashmë të njohura si " Youth Empowered"dhe" Coke Summership ", ne planifikojmë të nxisim projekte të reja që do të synojnë rritjen e mëtejshme të potencialit krijues dhe inovativ që ekziston në vend", tha Slladiq.
Në ditën e parë në zyrat e reja mirëseardhje të punësuarve në Birrarinë Shkup ju uruan edhe ambasadorët e SHBA-ve, Greqisë dhe Kroacisë, si dhe zëvendësambasadori i Holandës.
Në prag të jubileut 100 vjeçar, fokus të posaçëm në zhvillimin e Birrarisë Shkup në periudhën e ardhshëm do të vendoset edhe në qëndrueshmërinë, përmes investimeve në mbrojtjen e resurseve natyrore dhe zbatimin e programeve efektive për menaxhimin me mbeturinat.