Kryeministri Zaev u takua me ambasadoren e re të Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Veronik Ulman Marti.
Duke i’a uruar emërimin e ambasadores së Zvicrës, Kryeministri Zaev u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me Federatën Zvicerane, duke theksuar se të dyja vendet i lidh një miqësi e sinqertë, e bazuar në bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Në takim u theksua se Konfederata Zvicerane si një nga vendet donatore të para dhe afatgjata mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe arritjen e prioriteteve dhe projekteve të përcaktuara në Programin e Bashkëpunimit Zviceran me Maqedoninë e Veriut 2021-2024, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin e vendit tonë.
U përshëndet edhe përkushtimi i të dyja vendeve në sigurimin e funksionimit më efikas dhe përforcimin e punës së institucioneve, luftën kundër korrupsionit, sundimit të së drejtës, si dhe mbështetjen e procesit të realizimit të prioriteteve të jashtme politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbiseduesit theksuan se të dyja vendet janë shembull për shoqëri funksionale multikulturore duke respektuar të drejtat themelore të njeriut dhe duke mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera me vendet e rajonit.
U shpreh mbështetje për realizimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe nxitje për mbajtjen e fokusit për realizimin e perspektivës evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se bashkëpunimi ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e rajonit kontribuon për përmirësimin e standardit ekonomik të qytetarëve dhe nxit rritje ekonomike dhe prosperitet të përgjithshëm të shtetit.