Në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka takuar ministrin e financave dhe mirëqenies sociale, Milojko Spajiq, me të cilin kanë biseduar për disa tema që kanë të bëjnë me menaxhimin e financave publike për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë.
Në takim u shkëmbyen përvoja në zbatimin e masave në mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve gjatë krizës shëndetësore dhe ekonomike, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit Covid-19, kur u vendosën buxhetet e shtetit për mbështetjen e sistemit shëndetësor dhe ruajtjen e likuiditetit të ekonomisë dhe ruajtjen e vendeve të punës për qytetarët, por edhe për projektet zhvillimore që do të përshpejtojnë procesin e rimëkëmbjes në periudhën pas Covid-it.
Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Spajiq diskutuan edhe për politikat dhe masat për tërheqjen dhe mbështetjen e investimeve të reja të kompanive, dhe u pajtuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një shans të madh që në periudhën pas COVID-it të njihet si rajon atraktiv për investime të reja nga kompanitë nga rajoni, por edhe korporatat e mëdha ndërkombëtare, si për shkak të afërsisë me vendet e BE-së, ashtu edhe për shkak të proceseve të vazhdueshme, të cilat rrisin konkurrueshmërinë e vendeve të rajonit dhe mbarë Ballkanit Perëndimor.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se rritja e pagës minimale ndikon në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe në rritjen e të gjitha pagave në ekonomi, ku zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se në katër vitet e fundit Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në dialog gjithëpërfshirës me sindikatat dhe odat ekonomike arriti të rrisë pagën minimale për rreth 56%, dhe gjithëpërfshirja dhe transparenca është proces që aplikohet në miratimin e të gjitha strategjive, politikave, programeve dhe masave, me qëllim të efikasitetit dhe efektivitetit të tyre.
Ministri Spajiq e njoftoi zëvendëskryeministrin Bytyqi për programin “Evropa tani” dhe të gjitha përfitimet që do të kenë qytetarët nga realizimi i këtij programi.
Në takim u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u shpreh vendosmëria e padyshimtë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha nivelet.