Avancimi i marrëdhënieve tregtare ndërmjet Turqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përmirësimi i lidhjes së infrastrukturës dhe mundësive për investime që do të përmirësonin konkurrueshmërinë e vendeve dhe Ballkanit Perëndimor, ishin ndër temat e diskutuara në takimin e sotëm trepalësh “Kontributi për zhvillimin e marrëdhënieve socio-ekonomike ndërmjet Republikës së Turqisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës", që organizohet bashkërisht nga Oda Ekonomike Maqedono-Turke MATTO, Oda Ekonomike Kosovaro-Turke KTTO dhe Shoqata e Afaristëve dhe Zejtarëve “ESNAF” nga Kosova.
Në këtë ngarje morën pjesë zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ministri i zhvillimit rajonal të Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, Mehmet Sekizkok, kryetari i Odës Ekonomike Maqedono-Turke Ajdovan Ademovski, përfaqësues të shoqatave, bashkëorganizatorë të manifestimit, si dhe përfaqësues të rreth 50 kompanive, investime me kapital turk në të dyja vendet.
Zëvendëskryeministri Bytyqi, në fjalën e tij hyrëse, theksoi se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përparimin e mëtutjeshëm të ekonomive dhe shoqërive të vendeve të rajonit, duke përshëndetur përkushtimin për organizimin e këtij takimi trepalësh dhe duke mbështetur dialogun që të mbetet i hapur dhe të avancohet edhe më tej.
“Më vjen mirë që si në Turqi ashtu edhe në Kosovë, Republika e Maqedonisë së Veriut ka partnerë tradicionalisht të mirë tregtarë. Republika e Turqisë është partneri i shtatë për nga vlera i vendit tonë dhe Kosova renditet si partneri i 10-të më i mirë tregtar. Meqë kemi dy vite krize pas vetes, rritja e tregtisë reciproke, eksporteve dhe importeve është me të vërtetë domethënëse, e kjo do të thotë se po kthehemi në rrugët e bashkëpunimit para pandemisë”, theksoi Bytyqi, duke shtuar se marrëdhëniet e vendosura mirë mes tre vendeve pavarësisht pengesave nga pandemia nuk u ndërprenë, dhe shumë shpejt ripërtërihen dhe kthehen në nivelin para pandemisë.
“Periudha pas Covid-it është një shans. Një shans për ta avancuar më tej bashkëpunimin tonë, për të bërë një rajon që do të jetë konkurrues dhe tërheqës dhe jo për të krijuar konkurrencë të ndërsjellë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse këto dy vite të vështira nuk na kanë mësuar asgjë, është pra rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë dhe përmbushja miqësore e nevojave të tjetrit, por edhe rëndësia e disponueshmërisë së materialeve, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Për mua “near shoring” është avantazhi i rajonit tonë, zhvillimi i zinxhirëve të vlerave është potenciali ynë dhe avantazhi që do të na çojë përpara, nga kjo krizë”, shtoi zëvendëskryeministri Bytyqi.
Ministri i zhvillimit rajonal të Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, tha se ky takim do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, që është pasqyrë e marrëdhënieve tashmë të shkëlqyera mes qeverive të tri vendeve.
“Marrëdhëniet tregtare trepalëshe ndërmjet vendeve tona japin një kontribut të shkëlqyer në zhvillimin ekonomik të vendeve tona. Marrëdhëniet e tilla do të kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë ekonomik bazuar në marrëdhëniet tona të gjata socio-kulturore. Ekonomitë që deri para dy vitesh diskutonin tema krejtësisht të ndryshme, sot perceptojnë dhe vlerësojnë situata të reja me të cilat po përballemi. Para pandemisë COVID-19 kemi biseduar se si duhet të rritet zona e prodhimit vendas dhe sot po flasim se si përmes digjitalizimit t’i plasojmë në sa më shumë tregje produktet tona”, tha Damka.
Ai shtoi se me rastin e promovimit të mundësive për investime në Republikën e Kosovës, investitorëve u thuhet se me realizimin e këtyre investimeve fitojnë shumë më tepër mundësi, gjegjësisht qasje në tregun më të gjerë të Ballkanit Perëndimor dhe iu referua planeve të Qeverisë së Kosovës. Për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore dhe lidhje më të mirë me vendet fqinje.
Në takim, odat prezantuan investimet më të rëndësishme të kompanive turke në periudhën e kaluar, të cilat janë në disa sektorë, veçanërisht në ndërtim, bankieri, tregti, prodhim dhe degë të tjera.