Zëdhënësit e Qeverisë, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp informuan në detaje për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të 127-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve dhe pyetjeve në interes të opinionit.
Zëdhënësit kumtuan se për shkak të parandalimit të rritjeve eventuale të produkteve ushqimore, në mbledhjen e djeshme Qeveria e plotësoi Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të produkteve të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë me tri produkte të reja elementare ushqimore oriz, vezë dhe pasta. Çmimet e këtyre produkteve janë ngrirë në nivel të çmimeve deri më 1 dhjetor dhe do të vlejnë deri më 31 janar 2022.
Në pyetjen gazetareske, nëse planifikojnë masa plotësuese për prodhuesit e orizit për shkak të pakënaqësive nga ngrirja e çmimit të orizit, u potencua se masa për ngrirjen e çmimeve të disa prodhimeve themelore ushqimore, mes të cilave edhe orizi, u soll për të mbrojtur standardin e qytetarëve, me atë që do të parandalohet rritja e çmimeve dhe se kjo masë ka një afat të kufizuar deri më 31 janar 2022. U theksua se Qeveria viteve të fundit ka treguar se kujdeset për prodhuesit e orizit dhe për nxitjen e prodhimit. Subvencionet për sipërfaqe të punueshme me shfrytëzim të detyrueshëm të materialit të farës së certifikuar, subvencionet janë rritur prej 6.000 në 18.000 denarë. Janë dorëzuar edhe kartelat e naftës së gjelbër për të ndihmuar në uljen e kostove të prodhimit për makineritë bujqësore. Në mënyrë plotësuese, Qeveria i ka paguar edhe subvencionet për kultura bujqësore, nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi në vlerë prej rreth 640,5 miliardë denarë, para në të cilat hyjnë edhe subvencionet për prodhuesit e orizit, të cilat janë paguar në llogaritë për mbi 2.000 subjekte.
“Për të mbrojtur shëndetin publik dhe për rimëkëmbje ekonomike si interes publik, Qeveria e miratoi Informacionin për furnizim të vaksinave kundër KOVID-19 për vitin 2022, sipas të cilës është përcaktuar nevoja për furnizimin e 500.000 dozave të vaksinës mRNA (mRNK) nga prodhuesi “Fajzer”, ku duhet të kyçen edhe dozat pediatrike në sasi prej 1 % nga numri i përgjithshëm i fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut të moshës prej 5 deri 12 vjeç, përkatësisht rreth 10.000 doza”, informuan zëdhënësit Arsovski dhe Hoxha.
Pas kësaj pyetje, zëdhënësit shtuan se Komiteti për Imunizim edhe më tej do të ndjek rekomandimet e Organizatës Botërore Shëndetësore, ndërsa për sasinë, në rast se ka nevojë dhe ekziston interes, do të furnizohen edhe doza shtesë edhe për këtë kategori të qytetarëve, gjegjësisht fëmijë.
“Është e rëndësishme të theksohet se vaksinimi bëhet pa termin të caktuar dhe kushti i vetëm për vaksinimin e të miturve është që ata të vijnë me prind ose kujdestar”, sqaruan zëdhënësit.
Në mbledhjen e djeshme të rregullt, Qeveria ka miratuar Vendim për shpalljen e një pjese të Maleshevës për zonë të mbrojtur në kategorinë V – Zonë e mbrojtur dhe kjo përfshin sipërfaqen e zonës së ardhshme të mbrojtur zona e mbrojtur – Maleshevë është 11460.89 hektarë me tri zona të zonës së mbrojtur për mbrojtjen dhe promovimin e natyrës.
Zëdhënësit kumtuan edhe detaje për miratimin e Informacionit për konstituimin e Komitetit për Negociata dhe ekipin negociator për implementimin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit dhe Korridori 10 D në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Për anëtarë të Komitetit për Negociata janë caktuar: zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, zëvendëskryeministri i ngarkuar për Luftë kundër Korrupsionit dhe Krimit , Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Burime Njerëzore , Lupço Nikollovski, zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koordinim të Burimeve Ekonomike dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i NP Rrugët Shtetërore Ejup Rustemi.
Gjithashtu, Qeveria do të kërkojë nga Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që për anëtar të këtij Komiteti të nominoj edhe një përfaqësues të partisë më të madhe opozitare.
Dje Qeveria miratoi tekstin e Marrëveshjes për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, kjo marrëveshje do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre tre vendeve të lëvizin dhe të punojnë lirshëm në secilën prej tyre.
Marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor është rezultat i nismës “Ballkani i Hapur”.