Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, priti në takim ambasadorin e Holandës në vendin tonë, Jan Dirk Kop, i cili Kryeministrit dhe Qeverisë së re i dëshiroi suksese në mandatin e ardhshëm.
Në takim, Kryeministri Kovaçevski theksoi bashkëpunimin intensiv ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Holandës në nivelin më të lartë në vitet e fundit, me të cilin u forcua miqësia mes dy vendeve në planin bilateral, si dhe në planin e mbështetjes së procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
Partneriteti i ndërsjellë, u theksua në takim, i cili po arrihet në një nivel jashtëzakonisht të kënaqshëm nga të dyja palët me përmbushjen e vazhdueshme të Deklaratës së Partneritetit dhe Bashkëpunimit që të dy vendet e nënshkruan në vitin 2017.
Ambasadori Kop tregoi interesim të veçantë për takimin e Kryeministrit Kovaçevski me homologun e tij Kiril Petkov nga Bullgaria dhe shpreson se ripërtëritja e komunikimit mes dy qeverive do të nxisë përparimin e pritur në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, me mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare në hapjen e kapitujve.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se si vend që ka qasje të përpiktë ndaj vlerësimit objektiv të kritereve të anëtarësimit, mbështetja e Holandës është një konfirmim se me përkushtimin ndaj agjendës së reformave evropiane, Maqedonia e Veriut është plotësisht e përgatitur për hapjen e negociatave.