Kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov në konferencën për shtyp në fund të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë shprehën kënaqësinë për suksesin e arritur me formalizmin e pesë grupeve punuese në disa fusha që vendosën bazën normative për bashkëpunimin e përbashkët të përshpejtuar mes dy vendeve në të ardhmen.
“Në të vërtetë jam i kënaqur nga takimet e sotme. Kishim një mbledhje plenare, por më e rëndësishmja është se vetë ministrat kanë punuar në grupe punuese për projekte dhe ide konkrete, të cilat duhet të zhvillohen në periudhën e ardhshme”, tha Kryeministri Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin bullgar Petkov.
Grupi i parë do të sigurojë bashkëpunim në fushën ekonomike, veçanërisht në pjesën e energjetikës, tregtisë, investimeve, turizmit, bujqësisë.
Përveç ministrave të dikastereve ekonomike, ky grup do të zgjerohet me përfaqësues të agjencive shtetërore, odave ekonomike, klasterëve afaristë dhe palëve të tjerë. Kjo do të sigurojë qasje të gjithanshme për të përdorur potencialin tonë të madh ekonomik të përbashkët.
Grupi i dytë do t’i mbulojë fushat e infrastrukturës, transportit dhe format e tjera të lidhjes.
“Kjo është e rëndësishme për biznesin, për qytetarët, për shoqërinë të tërësi dhe paraqet një çelës për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kovaçevski shtoi se përveç Koridorit 8, si projekt më i madh infrastrukturor për lidhjen e të dy vendeve, ky grup do të punojë edhe në hapjen e linjës ajrore mes Shkupit dhe Sofjes dhe lehtësimit të transportit rrugor të përgjithshëm.
Ky grup do ta forcojë bashkëpunimin në telekomunikacionet ku projekti më i rëndësishëm është ulja e çmimit të roamingut.
Nga grupi i tretë i cili është për integrimet evropiane dhe politikat e gjelbra, presim zbatimin e përvojës së integrimeve evropiane të Bullgarisë, pasi që ajo tashmë 15 vite është anëtare e BE-së, ndërsa bashkëpunimi në kuadër të shkencës, kulturës dhe arsimit paraqesin bazë për ndërtimin e besimit afatgjatë mes qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe afrimit mes të rinjve që është detyrë e grupit të katër në të cilin bëjnë pjesë dikasteret përkatëse.
"Është paraparë të realizohen konferenca shkencore, veçanërisht në pjesën e shkencave natyrore ku mund të avancohen ato teknike dhe njohuritë në shkencat e tjera natyrore që ndikon shumë në zhvillimin e ekonomisë dhe industrisë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
“Grupi i pestë është Komisioni i përbashkët ekspert për çështjet historike dhe arsimore, ndërsa bashkëkryesuesit e Komisionit, profesorët Gjorgiev dhe Dimitrov realizuan takim për të konfirmuar kalendarin dhe dinamikën e takimeve në vitin 2022," njoftoi Kryeministri Kovaçevski në konferencën për shtyp.
Kryeministri Petkov në fjalimin e tij në konferencën për shtyp tha se mbledhjen e përbashkët e vlerëson si shumë të suksesshme. Në këtë drejtim janë nënshkruar memorandume dhe deklarata për bashkëpunim që konfirmojnë vullnetin për zgjidhje të shpejta dhe cilësore në fusha të ndryshme për avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes dy vendeve.
Si veçanërisht të rëndësishëm, Petkov ndau angazhimin e dy qeverive për nisjen e një iniciative të përbashkët që Koridori 8 të kthehet ne mesin e prioriteteve të BE-së.
Kryetari i Qeverisë së Bullgarisë Kiril Petkov shtoi se është e rëndësishme që Komisioni historik dakordoi dinamikën dhe kalendarin për të mbyllur çështjet që janë të hapura një periudhë më të gjatë.