Kryetari i Qeverisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pati bisedë telefonike me Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Kirjakos Micotakis, i cili e uroi zgjedhjen për kryeministër dhe i dëshiroi punë të frytshme dhe të suksesshme.
Dy kryeministrat ranë dakord se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer dhe se partneriteti do të vazhdojë të ndërtohet dhe forcohet. Kryeministri Kovaçevski falënderoi Kryeministrin Micotakis për mbështetjen e vazhdueshme që jep për hapjen e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe e njoftoi atë për disa nga rezultatet e vizitës së Kryeministrit bullgar Petkov në Shkup dhe vizitës kthyese dhe mbledhjes së përbashkët të qeverive në Sofje.
“Përmes respektit të ndërsjellë dhe dialogut të bazuar në vlerat evropiane, besoj se mund të gjejmë zgjidhje në interes të të dy vendeve dhe popujve”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në bisedën telefonike me homologun e tij grek Micotakis.
Kryeministrat Kovaçevski dhe Micotakis diskutuan edhe për bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin në energjetikë, kulturë dhe fusha të tjera të rëndësishme, ku u pajtuan për një takim të përbashkët në kuadër të Forumit Delfi në Athinë që do të mbahet në prill të vitit 2022.