Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, vizitën dyditore të punës në Bruksel e filloi me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në takimin në selinë së NATO-s në Bruksel, ku morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, Kryeministri Kovaçevski, theksoi se me përmbushjen e qëllimit strategjik për t’u bërë anëtare e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut në një kohë rekorde arriti integrimin ushtarak në aleancë dhe vazhdon me procesin e modernizimit të armatës sonë.
Republika e Maqedonisë së Veriut, theksoi Kryeministri Kovaçevski në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se është në rrugë të drejtë për realizimin e buxhetit për modernizimin e Armatës dhe mbrojtjes deri në fund të këtij viti dhe se vendi mbetet i përkushtuar për pjesëmarrje në operacionet dhe misionet e NATO-s.
Në takim u theksua se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO kontribuoi në stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe se është arritur përparim i madh në bashkëpunimin me fqinjët tanë dhe veçanërisht me aleatët në Aleancë. Vendi ynë ka përfitim të drejtpërdrejtë nga bashkëpunimi me aleatët, në kuptim të përmirësimit të sigurisë së hapësirës ajrore, forcimit të kapaciteteve të Armatës dhe ndërveprueshmërisë përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe aktiviteteve të tjera.
Kryeministri Kovaçevski gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg, konfirmoi unitetin me aleatët e NATO-s lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe shtoi se nevojitet deeskalim i tensioneve dhe zgjidhje e çështjeve me Rusinë përmes diplomacisë.
Si vend anëtar i NATO-s, tha Kovaçevski, e konsiderojmë thelbësor apelin e NATO-s që Rusia të ripërtërijë dialogun në kuadër të Këshillit NATO-Rusi dhe shtoi se Maqedonia e Veriut është e përgatitur për një angazhim konstruktiv në kuadër të këtij procesi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg shprehu kënaqësinë për gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë aktive në përgjigjen e përbashkët për çështjet me interes për Aleancën.
Fjalim i Kryeministrit Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
Faleminderit i nderuar Sekretar i Përgjithshëm, i nderuar Jens,
Është kënaqësi që kam mundësinë që në vizitën time të parë në Bruksel të vij në NATO dhe të takohemi. Anëtarësimi në NATO është një përmbushje e qëllimit tonë strategjik dhe jam vërtet i nderuar që jam këtu në selinë e NATO-s. Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri dhe prosperitet për vendin tim dhe popullin maqedonas.
Politika e dyerve të hapura i mundësoi Maqedonisë së Veriut të arrijë qëllimin e saj të madh, suksesin e sigurisë, për ne dhe për NATO-n, duke u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s. Kjo arritje është një dëshmi e zgjedhjes sonë të lirë dhe sovrane si dhe një garanci për stabilitetin dhe sigurinë tonë nacionale dhe rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Sot, jemi krenarë që jemi ndër aleatët më të shpejtë të cilët përfunduan integrimin ushtarak në NATO, veçanërisht pasi mbetem të përkushtuar për të marrë pjesë në operacionet dhe misionet e NATO-s.
Me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg diskutuam për situatën në dhe rreth Ukrainës, e cila përbën një kërcënim për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare. Si një aleat i NATO-s, ne i bashkohemi thirrjeve ndaj Rusisë për të de-përshkallëzuar dhe vazhdimin e dialogut diplomatik.
Ne mbështesim propozimin e NATO-s për takime tematike me Rusinë për gjendjen e marrëdhënieve, sigurinë evropiane me fokus Ukrainën dhe transparencën, uljen e rrezikut dhe kontrollin e armëve. Mbështesim plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
NATO është një aleancë kolektive e mbrojtjes e cila afron Evropën dhe Amerikën e Veriut në këtë krizë. Si aleatë, ne jemi të fortë, të vendosur dhe të bashkuar në reagimin tonë. Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj Marrëveshjes të Uashingtonit themeluese të NATO-s dhe ndaj vlerave dhe parimeve themelore të Aleancës.
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm Stoltenberg,
Edhe njëherë ju falënderohem për pranimin tuaj dhe shpresoj që së shpejti do të kemi mundësi që edhe unë të jem nikoqir në Shkup, Maqedonia e Veriut.