Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së ZZHIT Shtip, theksoi se gjatë ditës së sotme do të mbahen mbledhje të Këshillit ekonomik të Qeverisë, e më pas edhe takim me Këshillin ekonomiko-social, me të cilët ai personalisht do të kryesojë dhe ku pritet që përmes dialogut të Qeverisë, bashkë me sindikatat dhe punëdhënësit, të gjendet një zgjidhje e pranueshme për rritjen e pagës minimale për të gjitha palët.
“Në fjalimin tim gjatë zgjedhjes së qeverisë së re thashë se një nga angazhimet e saj do të jetë rritja e pagës minimale dhe kjo është tema e bisedimeve mes përfaqësuesve të sindikatave dhe punëdhënësve dhe Qeverisë. Mos të harrojmë se paga minimale prej 9.000 në më tepër se 15.000 denarë është rritur pikërisht nga Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe kjo është një politikë e përhershme e Qeverisë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Ai shtoi se pagat duhet në mënyrë permanente të rriten, duke përfshirë pagën minimale dhe se kjo gjithsesi do të arrihet përmes dialogut me partnerët socialë Qeverisë, sindikatat dhe punëdhënësit.