Kryeministri Kovaçevski: Me rritjen e pagës minimale prej 18.000 denarë dhe pensione më të larta nxisim rritjen e standardit jetësor

“Qëllimi i kësaj Qeverie është rritja e standardit jetësor për qytetarët. Prandaj, krijojmë kushte për rritje të qëndrueshme si minimalja, ashtu edhe paga mesatare neto, ndërsa gjithashtu po përgatitemi të hapim dialog për rritjen e pensioneve”, theksoi Kryeministri Dimitar Kovaçevski në deklaratën për media me rastin e vizitës së kompanisë së tekstilit “Teksport”, e cila për më shumë se 20 vite punon në vend.
 
Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, i cili gjatë vizitës në këtë kompani ishte i shoqëruar nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, u shpreh i kënaqur që nga marsi i këtij viti 80.000 punëtorë, bashkëqytetarë tanë do të marrin pagë minimale prej së paku 18.000. denarë, që është dyfish më shumë se në vitin 2014.
 
“Kjo rritje do të thotë se disa nga punonjësit këtu në këtë kompani do të kenë një pagë neto më të lartë për rreth 45 euro dhe shteti është këtu për të ndihmuar në realizimin e zgjidhjes ligjore, duke subvencionuar pjesën që lidhet me kontributet, me të cilën lehtësohet procesi për të gjithë palët e interesuara”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Ai shtoi se me dialog të hapur u arrit marrëveshje historike për rritjen e pagës minimale, si dhe metodologjia me të cilën ajo do të rritet në mënyrë të vazhdueshme.

“Përcaktuam se shuma e pagës minimale nuk mund të jetë më e ulët se 57% e pagës mesatare. Kjo do të thotë se rritja e pagës minimale në të ardhmen do të jetë e mundur pa intervenime shtesë dhe presim që shumë shpejt do ta tejkalojë shumën aktuale të dakorduar”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se beson se zgjidhja për rritjen e pagës minimale prej 18.000 denarë do të ndikojë pozitivisht në pagat e tjera në industritë tjera

Në deklaratën për media, Kryeministri informoi edhe për procesin e filluar për përpunimin e metodologjisë për rritje të qëndrueshme të pensioneve, si dhe për pakon mbështetje financiare për pensionistët.

"Po përgatitemi të hapim një dialog për rritje të qëndrueshme të pensioneve që do të përfshijë përsëri të gjitha palët e interesuara dhe që do të mundësojë pensione më të larta," tha Kryeministri Kovaçevski.

Gjatë vizitës, Kryeministri u dërgoi mesazh kompanive që të investojnë në teknologji të reja për produktivitet të ri dhe të investojnë në dije në përputhje me trendet bashkëkohore për përfitime më të larta.