Mbahet Konferenca e donatorëve organizuar nga Komiteti nacional për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit

Komiteti nacional për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbajti konferencë të donatorëve ku morën pjesë përfaqësues nga organizata ndërkombëtare dhe misionet diplomatike.

Në konferencë, Koordinatori nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, Zllatko Apostollski, bashkë me zëvendësit e tij, Xheladin Ajvazi dhe Zllatko Arsov, shprehën falënderim të madh për të pranishmit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ia japin Komitetit.

Koordinatori nacional theksoi se mbështetja e donatorëve në luftën kundër terrorizmit është veçanërisht e rëndësishme në pjesën e përforcimit të kapacitetit të institucioneve.

Në konferencë u prezantuan projektet e realizuara dhe aktuale që janë duke u zbatuar në vendin tonë dhe u shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira që mund të përdoren në përballimin e sfidave në këtë fushë.

Të pranishmit konstatuan se bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm duhet të vazhdojë sepse është një nga kushtet themelore për realizimin e plotë të prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit.