Zëdhënësit e Qeverisë: Kryeministri Kovaçevski sot do të bisedojë me kolegun e tij ukrainas, jemi të hapur për të ofruar ndihmë

Zëdhënësit e Qeverisë, Muamet Hoxha dhe Dushko Arsovski, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informuan për vendimet dhe konkluzat e miratuara në mbledhjen e 16-të, duke u përgjigjur edhe në pyetjet në interes të mediave dhe opinionit.

Në mbledhjen e djeshme u shqyrtua dhe u miratua Informacioni për situatën e sigurisë në dhe rreth Ukrainës dhe e ngarkoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, në koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e pjesëtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë misionit special monitorues të OSBE-së në Ukrainë.

Për momentin, njoftuan zëdhënësit, monitoruesit tanë, rreth 30, janë të sigurt dhe i kryejnë detyrimet e tyre të rregullta dhe në rast të përkeqësimit shtesë të situatës, imponohet nevoja për angazhim të shpejtë dhe efikas për të garantuar sigurinë e tyre.

Lidhur me shtetasit tanë, Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kiev ka evidentuar 100 persona që i kanë dorëzuar të dhënat e tyre se po qëndrojnë në Ukrainë dhe prej tyre, përfshirë ditën e djeshme, janë kthyer 13.

 Në pyetjen gazetareske nëse dhe sa vendi ynë mund të pranojë emigrantë nga Ukraina nëse vjen në valë të re emigrantësh nga ky vend, u tha se si në më shumë raste deri më tani, Qeveria do të ofrojë ndihmë edhe në rast të eskalimit në Ukrainë, si dhe të gjitha përpjekjet janë që kjo të mos ndodh.

 Në këtë drejtim është edhe biseda telefonike, të cilën Kryeministri Dimitar Kovaçevski do ta ketë me kolegun e tij, Denis Shmigalj, Kryetar i Qeverisë së Ukrainës, me të cilin mes tjerash do të bisedojë edhe për këtë temë dhe pas kontaktimit, Qeveria do të bëjë vlerësim lidhur me llojin e ndihmës që do ta ofrojmë si shtet.

Në pyetjen nëse shteti ynë do të përfshihet në sanksionet ndaj Rusisë, që i përgatitën BE-ja dhe SHBA-të, zëdhënësit e shprehën qëndrimin se Maqedonia e Veriut është në linjë për të arritur 100% pajtueshmëri me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Lidhur me pakon e sanksioneve të Unionit që po paralajmërohet, Qeveria në mënyrë plotësuese do të debatojë dhe do të vendos, për të cilën opinioni do të informohet, thanë zëdhënësit.

 Në mbledhje gjithashtu është shqyrtuar dhe miratuar teksti i harmonizuar i Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për themelimin e Qendrave Kulturore – Informative në Shkup dhe në Beograd, të cilën duhet ta nënshkruajë ministri i Punëve të Jashtme.

Kjo do të jetë hapësira e pestë e tillë për prezantimin e traditës, kulturës dhe artit maqedonas jashtë vendit.  
Qendrat në Stamboll, Sofje, Tiranë dhe Zagreb tani më funksionojnë.

Pjesë e mediave kërkuan edhe përgjigje për atë se çfarë përmban dokumenti që e paralajmëroi ministri i Punëve të Jashtme,  Bujar Osmani, të cilin Qeveria do ta dërgojë në Bruksel, për të cilën u tha:

“Qeveria me të gjitha kapacitetet e saj është e fokusuar në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Republikën e Bullgarisë. Grupet e punës nga të dy vendet punojnë sipas planit të përcaktuar dhe kjo është një mënyrë aqë përmes angazhimit të plotë të ruhet dinamika në proces. Qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe është thënë shumë herë, se kur të arrihen zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ato do t'u prezantohen institucioneve kompetente. Qëndrimet tona janë të qarta dhe ne nuk heqim dorë nga kjo. Nuk ka bisedime për gjuhën dhe identitetin. Në fakt, ato qëndrime u konfirmuan bashkërisht nga të gjitha partitë politike në Kuvend. Qytetarët duhet të jenë të bindur se Qeveria po punon për një zgjidhje që do të jetë në interes të të gjithëve. Besojmë fuqishëm se dialogu i sinqertë është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të pasur sukses dhe për të demonstruar sjelljet evropiane në rajon."

Në pyetjen gazetareske nëse në mbledhjen e Shtabit kryesor koordinues të krizës ose të Qeverisë është diskutuar për propozimin e Komisionit për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse në vend që 45, certifikata për shërimin nga Kovid-19 të zgjasë 180 ditë edhe për propozimin e ri, gratë shtatzëna të kthehen në punë dhe të ndërpritet masa për posedimin e certifikatës KOVID për shtetasit e Maqedonisë së Veriut gjatë daljes nga vendi, zëdhënësit informuan se propozimet do të shqyrtohen në mbledhjen e parë të ardhshme të Shtabit kryesor koordinues të krizës. Procesverbali duhet të shqyrtohet dhe të miratohet në mbledhjen e Qeverisë dhe opinioni do të informohet për konkluzën.