Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me Nikolla Sellakoviq, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe dy popujve dhe u konstatua intensifikimi i bashkëpunimit, veçanërisht në fushën ekonomike në dy vitet e fundit.
Është shprehur përkushtim i të dyja palëve për përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në procesin e integrimit evropian.
Kryeministri Kovaçevski tha se ai dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të fokusuar në zhvillimin ekonomik të vendit, në tejkalimin me sukses të sfidave aktuale, siç është gjendja energjetike dhe në të njëjtën kohë duke punuar në hapin përpara në aspektin e eurointegrimeve.
"Ne besojmë në qëllimet dhe punojmë për t'i arritur ato, përmes politikave parimore dhe dinjitoze dhe punojmë në reformat e nevojshme në vend, siç janë reformat në drejtësi, të cilat janë kryesisht në përputhje me legjislacionin evropian", tha Kryeministri Kovaçevski.
Në takim u vlerësua bashkërisht se iniciativa Ballkan i Hapur është një kontribut në bashkëpunimin rajonal të vendeve, përmes zbatimit të vlerave evropiane në rajon, dhe kontribuon në thellimin e bashkëpunimit, hapjen e mundësive për konkurrencë më të madhe rajonale në Evropë dhe tregjet e tjera botërore për të tërhequr vestitorët të huaj.
Domethënia e marrëdhënieve të mira fqinjësore veçanërisht theksohet edhe si e rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon dhe Evropë.
Në takim u bisedua edhe për situatën aktuale në Ukrainë, gjatë së cilës u përcoll qëndrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s, për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.
Në takim u përcoll ftesë nga Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deri te Kryeministri Dimitar Kovaçevski për një vizitë në Beograd.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi për bashkëpunimin miqësor dhe ndihmën nga Republika e Serbisë gjatë pandemisë dhe tha se përkushtimi i përbashkët për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është i rëndësishëm për qytetarët e të dyja vendeve.