Takim i Zëvendëskryeministrit dhe ministrit Stoilkoviq me ambasadoren zvicerane Veronique Ullmann

Nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, realizoi sot një takim pune me një delegacion nga Ambasada e Zvicrës, i kryesuar nga Shkëlqesia e Saj Veronique Ullmann.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe qëndrime mbi çështjet aktuale politike dhe ekonomike, mbi gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve etnike në vend, si dhe për mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, të cilat tradicionalisht karakterizohen nga miqësia dhe gatishmëria e ndërsjellë për dialog politik në nivel të lartë dhe bashkëpunim aktiv në projekte.

Të dyja palët vlerësuan se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike e deri më sot, bashkëpunimi mes dy vendeve është zhvilluar me sukses dhe duhet të vazhdojë të kultivohet. Ambasadorja Ullmann konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Konfederatës Zvicerane për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në rolin pozitiv të diasporës maqedonase në Zvicër, e cila përfaqëson një urë të rëndësishme sociale dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve, si dhe një shembull të integrimit dhe bashkëjetesës së suksesshme. U theksua nevoja që niveli i arritur i bashkëpunimit politik dhe diplomatik të zgjerohet edhe në sferën ekonomike, ku ekziston potencial i konsiderueshëm – si përmes rritjes së shkëmbimit tregtar, ashtu edhe përmes tërheqjes së investimeve të reja zvicerane në vend.