Investim në dije: Ministria e Administratës Publike hap qendër moderne trajnimi në Aerodrom

Ministria e Administratës Publike sot e hapi solemnisht Qendrën për Trajnime tërësisht të rinovuar për nëpunësit administrativë, e cila është e vendosur në Komunën e Aerodromit – Shkup.

Qendra është e pajisur me mobilje të reja dhe moderne për zyra si dhe me pajisje teknike më bashkëkohore për realizimin e aktiviteteve edukative, me ç’rast krijohen kushte cilësore dhe profesionale për zhvillimin dhe përmirësimin e administratës publike.

Në ceremoninë solemne fjalim mbajti edhe ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor si nxitës i reformave:
“Trajnimi nuk është detyrim, por një investim në njerëzit që janë themeli i institucioneve,” tha ministri, duke theksuar se Qendra e re është më shumë se një hapësirë – ajo është një burim për ndërtimin e një administrate efikase, të motivuar dhe të orientuar drejt qytetarëve.
Minçev shtoi: “Ne duam nëpunës që jo vetëm kanë njohuri, por kanë edhe motivim që t’i zbatojnë ato njohuri në shërbim të shoqërisë.”
Ky përkushtim, siç theksoi ai, është pjesë e një transformimi thelbësor që po e zbaton Ministria, dhe jo thjesht një ndryshim sipërfaqësor.

 Qendra përbën një segment kyç të përpjekjeve strategjike të Ministrisë së Administratës Publike për reformimin e plotë të sistemit të trajnimeve për nëpunësit administrativë.
Përveç hapësirës së rinovuar dhe të pajisur në mënyrë moderne, Ministria po punon aktivisht edhe në përmirësimin e platformës elektronike për menaxhimin e trajnimeve (LMS), e cila do të mundësojë qasje të lehtë, digjitale dhe fleksibile në materialet mësimore dhe zhvillimin profesional – pa marrë parasysh vendndodhjen e përdoruesve.

Ky hap vjen pas miratimit të fundit të Ligjit të ri për avancim profesional dhe edukim të nëpunësve administrativë, me të cilin forcohet ndjeshëm roli institucional i Ministrisë në krijimin e një sistemi të stabil, të qëndrueshëm dhe modern për trajnimin dhe zhvillimin e kuadrit në administratën publike.
 
Në ngjarje morën pjesë zëvendësministri i Administratës Publike, Laze Jaqimoski, sekretari shtetëror, Gjorgji Vlaјnkinoski, si dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.
Në periudhën në vijim, Ministria ka paralajmëruar edhe rikonstruktimin e Qendrave të tjera për trajnim në gjithë shtetin, me qëllim vendosjen e një sistemi nacional për avancim profesional, i cili do të jetë i qasshëm për të gjithë nëpunësit administrativë në mbarë territorin.