Mickoski për materialet e përgjuara: Më kanë ndjekur mua, por edhe fëmijët e mi, pothuajse të njëjtët njerëz të afërt me pushtetin e kaluar, operojnë me sistemin, duhet të ketë përgjegjësi

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot në fjalimin e tij me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, iu referua edhe skandalit të ri me përgjimet, duke theksuar se ndjekja dhe përgjimi bëhen që nga vitet ’90 dhe se e njëjta strukturë, pothuajse të njëjtët njerëz dhe operativë, të afërt me pushtetin e kaluar, operojnë me sistemin, duke shtuar se me hapa të tillë goditen themelet e demokracisë, goditet rendi kushtetues, ndërsa pasojat e një sistemi të tillë të shtrembëruar jo vetëm që shkatërrojnë breza njerëzish, por e vënë në rrezik të gjithë shtetin, ku siguria kombëtare vihet në pijatë.

„Vetëm shkurtimisht të ndalem në një temë të përditshme e cila ka rëndësi për pamjen më të gjerë të sistemit ku jetojmë. Ajo është përgjimi. Përgjimi i paligjshëm dhe keqpërdorimi i sistemit. Përgjimi dhe ndjekja bëhen që nga vitet ’90. Dhe një e njëjta strukturë, pothuajse të njëjtët njerëz dhe operativë, të afërt me një pushtet të kaluar, operojnë me sistemin. Me hapa të tillë goditen themelet e demokracisë, goditet rendi kushtetues, ndërsa pasojat e një sistemi të tillë të shtrembëruar jo vetëm që shkatërrojnë breza njerëzish, por e vënë në rrezik të gjithë shtetin, ku siguria kombëtare vihet në rrezik. Këto goditje shkatërrojnë edhe fatet njerëzore, zakonisht duke shpikur situata, kontakte, duke shtuar gjëra që në thelb nuk ekzistojnë“, tha ai.

Mickoski theksoi se nuk është çështje nëse materialet do të deklasifikohen, por çështja është si të parandalohet një keqpërdorim i tillë dhe kjo të mos përsëritet më.

„Për këtë jam dëshmitar edhe unë personalisht, duke parë materialin që lidhet me mua, por edhe me familjen time. Hajde, e kuptoj për veten time, por fëmijët?! Dhe këtu dua të nënvizoj: nuk është çështje nëse materialet do të deklasifikohen – kjo është krejtësisht e parëndësishme dhe ndaj gjërave të tilla shoh si frikë dhe panikë nga ata që bëjnë thirrje për diçka të tillë, dhe si justifikim për të devijuar vëmendjen nga dilemat e vërteta. E të mos flas se me këtë zbulohet dhe shkatërrohet i tërë një sistem operativ. Pyetja e vërtetë është si të parandalohen keqpërdorimet dhe kjo të mos përsëritet më“, tha kryeministri Mickoski.

„Kjo do të ndodhë vetëm kur të ketë përgjegjësi. Dhe përgjegjësi duhet të ketë. Të gjitha materialet nga institucionet dhe njohuritë për ndjekjen e paligjshme janë dorëzuar në prokurori. I dimë kapacitetet e tyre të dobëta dhe për fat të keq besimin e ulët në ta, por këtë rast do ta ndjekim nga afër dhe vetëm ta dinë se kjo punë nuk do të futet nën qilim.

Kjo është çështje e mbijetesës së shtetit. Dhe në periudhën që vjen do të zgjidhet kjo nyje gordiane“, theksoi Mickoski.