Durmishi: Përmes masës për investime të gjelbra janë krijuar 400 vende pune në sektorin privat 

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me drejtorin e Agjencisë së punësimit, Selatin Beluli, dhe përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së, Armen Grigorjan, vizitoi sot restorantin “Ksantika”, i cili është një nga shembujt e suksesshëm të investimeve të gjelbra dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se përmes Masës 8 – “Krijim të vendeve të reja të punës përmes investimeve të gjelbra”, deri më tani janë krijuar pothuajse 400 vende të reja pune në sektorin privat.
“Deri më tani, 228 kompani kanë investuar në zgjidhje të gjelbra – panele fotovoltaike, efikasitet energjetik dhe pajisje moderne. Kompanitë kanë investuar mjetet e tyre me vlerë mbi 200 milionë denarë, që është më shumë se mbështetja shtetërore. Kjo tregon se politika e Qeverisë nuk është vetëm subvencion, por katalizator për kapitalin privat dhe për ekonomi të gjelbër", theksoi ministri Durmishi.
Shumica e kompanive investuan në panele fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike, derisa kompanitë tjera u përqendruan në masat për efikasitet energjetik (izolim termik, pompa të nxehtësisë, makina dhe pajisje me efikasitet energjetik). 
"Edhe pse investimet në ekonominë cirkulare janë ende të kufizuara, është inkurajues fakti që po rritet njohja e përfitimeve ekonomike dhe ekologjike të këtyre praktikave", theksoi ministri Durmishi.

Krijimi i vendeve të reja të punës dhe plotësimi i tyre me kuadër përkatës dhe cilësor është një nga angazhimet parësore të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke ndjekur tendencat botërore për tranzicion drejt ekonomisë së gjelbër, Agjencia së bashku me partnerët, edhe më tutje do të vazhdojë të zbatojë masa përmes të cilave stimulohet hapja e vendeve të reja të punës, veçanërisht në ndërmarrjet që në proceset e tyre vendosin produket, shërbime dhe teknologji të gjelbra – theksoi Selatin Beluli, drejtor i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Së bashku me partnerët qeveritarë tashmë disa vite, Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara e realizon masën për mbështetje të sektorit privat përmes investimeve të gjelbra. Interesimi i madh te aplikuesit është dëshmi më tepër se edhe ndërmarrjev e vogla dhe të mesme vendore janë të vetëdijshme për rëndësinë e vendosjes së investimeve të gjelbra në proceset e punës dhe hapjen e vendeve të reja të punës që do të kontribuojnë për tranzicion më efikas dhe më të shpejtë të gjelbër. UNDP-ja mbetet e përkushtuar në angazhimin për mbështetjen e sektorit privat përmes mundësimit të mekanizmave të ndryshme për rritje të biznesit, potencoi Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në shtet.
Mbështetja financiare për një vend të ri pune është rritur nga 205 mijë denarë në vitin 2022 në 250 mijë denarë në vitin 2024, ndërsa buxheti i përgjithshëm për masën arriti në 93 milionë denarë (rreth 1,5 milionë euro). Për vitin 2025, qëllimi është të mbështeten të paktën 200 vende të reja pune në një maksimum prej 200 ndërmarrjesh, me mundësinë e mbështetjes deri në 750 mijë denarë për kompani. Përveç kësaj, do të ofrohen trajnime dhe shërbime këshilluese për efikasitet energjetik për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ministri Durmishi theksoi se Qeveria do të vazhdojë me politika që hapin mundësi të reja për punëtorët dhe inkurajojnë sektorin privat, duke ndërtuar ekonomi që ecën përpara drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ardhmes së gjelbër.