Takim tematik i Qeverisë me përfaqësues të lartë të Partneritetit për Qeverisje të Hapur: Qeveria e Republikës së Maqedonisë si shembull i qeverisjes së hapur

Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë u mbajt takim tematik me përfaqësues të lartë të iniciativës ndërkombëtare Partneritet për Qeverisje të Hapur (OGP), me të cilin kryesoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Ministria e Administratës Publike është koordinatore e OGP-së dhe ka rol kyç në procesin e bashkëkrijimit dhe zbatimit të planeve kombëtare të veprimit për qeverisje të hapur.

Në takimin fjalim mbajti kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, prof. dr. Hristijan Mickoski dhe drejtori ekzekutiv i OGP-së, Aidan Ejakuza, si edhe shumica e ministrave.

Ministri Minçev, i cili e udhëhoqi takimin, në fjalimin e tij theksoi:

“Ministria e Administratës Publike, si koordinatore e procesit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, punon pa rezerva mbi vlerat që e formësojnë vizionin e një qeverie të hapur dhe që janë themel i besimit mes institucioneve dhe qytetarëve. Në trembëdhjetë vitet e fundit, përmes gjashtë planeve kombëtare të veprimit, kemi investuar në transparencë, llogaridhënie dhe forcimin e zërit të qytetarëve. Kjo ka sjellë një qeveri më transparente dhe më përgjegjëse, menaxhim më efikas të burimeve publike dhe zgjidhje digjitale inovative që përmirësojnë cilësinë e jetës.”

Ai theksoi se aktualisht po zbatohet plani i gjashtë kombëtar i veprimit për OGP (2024–2026), i cili sjell zgjidhje të reja transformuese – nga publikimi i pronarëve realë të kompanive që lidhin kontrata me shtetin, deri te përmirësimi i qasjes në informata, transparenca në koncesione dhe partneritete publike-private, avancimi i konsultimeve publike, raportim i rregullt për barazinë gjinore dhe afrimi i parlamentit me qytetarët përmes aktiviteteve mobile dhe komunikimit të drejtpërdrejtë. Plani kombëtar i veprimit është përgatitur përmes një procesi të gjerë konsultativ me mbi njëqind përfaqësues nga institucionet dhe shoqërisë civile, që është dëshmi se bashkëkrijimi dhe gjithëpërfshirja janë praktikë e vërtetë, e jo vetëm deklaratë.

“Vitin e ardhshëm do të nisë cikli i ri – plani i shtatë Kombëtar i veprimit (2026–2028). Kjo është mundësi që të vendosim objektiva edhe më ambicioze dhe ta forcojmë pozitën e Republikës së Maqedonisë si lidere rajonale në fushën e qeverisjes së hapur”, shtoi Minçev.

Ai paralajmëroi se vendi do ta prezantojë vizionin e vet edhe në Samitin Global për OGP në Spanjë këtë vjeshtë, ndërsa në vitin 2026 do të jetë nikoqir i takimit rajonal të Ballkanit Perëndimor.

“Partneriteti për Qeverisje të Hapur është më shumë se një iniciativë ndërkombëtare – është platformë për barazi, besim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Suksesi i OGP-së është rezultat edhe i rolit aktiv të sektorit joqeveritar, i cili është korrektuesi ynë, partneri dhe nxitësi i ideve të reja”, përfundoi Minçev.

Me këtë takim, Qeveria konfirmoi përcaktimin e saj për të vazhduar me reformat për ndërtimin e Republikës së Maqedonisë moderne, evropiane dhe të hapur.