Zëvendëskryeministri Fetai realizoi takim me Aidan Ejakuza, drejtorin egzekutiv të Partneritetit për Qeverisje të Hapur

Zëvendëskryeministri I qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i angazhuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, zhvilloi takim me z. Aidan Ejakuza, Drejtor Ekzekutiv i Partneritetit për Qeverisje të Hapur (PQH), në të cilin morën pjesë edhe znj. Sandra Parnar, koordinatore rajonale e PQH, dhe znj. Gordana Gapić Dimitrovska, koordinatore kombëtare e PQH. Takimi u fokusua në prioritetet e iniciativës “Maqedonia e Veriut e Hapur”, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit, transformimin digjital, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe reformat gjyqësore, të cilat do të përfshihen në Planin e Veprimit të PQH për vitin 2026.
Në qendër të diskutimeve ishin reformat e lidhura me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, veçanërisht transparenca e pronësisë përfituese dhe drejtësia e hapur, si angazhime kyçe për përmbushjen e standardeve të Kapitujve 23 dhe 24 të BE-së. Po ashtu, u theksua roli i Maqedonisë së Veriut si pioniere rajonale në qeverisjen e hapur, si dhe mundësinë e organizimit të mundshëm të Takimit Rajonal të Ballkanit Perëndimor 2026 në Shkup.
Theks i veçantë iu kushtua edhe dialogut me shoqërinë civile, i cili është prioritet i kabinetit të Zëvendëskryeministrit. Kabineti ka rivendosur bashkëpunimin përmes tre sesioneve të Këshillit për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, ku në qershor u miratua strategjia e propozuar qeveritare. Në korrik 2025, Qeveria miratoi Strategjinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Shoqërisë Civile (2025–2028). Për të siguruar vazhdimësi, do të organizohen takime të rregullta mujore me Platformën e OJQ-ve kundër korrupsionit dhe do të krijohet një mekanizëm për konsultime publike, për të promovuar transparencën dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të qeverisjes së hapur dhe të përgjegjshme, duke pasqyruar angazhimin e Qeverisë për të ndërtuar një të ardhme më transparente dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.