Kovaçevski – Borell: Negociatat me Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa prolongim shtesë

Kryetari i  Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian Zhosep Borrell, i cili ndodhet për vizitë pune në vendin tonë, sot mbajtën  konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën njoftuan për bisedimet nga takimi i realizuar.

Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij para medieve theksoi se në një kohë  paqëndrueshmërie të madhe, që është rezultat i agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës, si asnjëherë më parë paraqitet nevoja që Europa të jetë e bashkuar, e fortë dhe tërësisht e përgatitur që t’i mbrojë vlerat demokratike në themelet e së cilës është e ndërtuar.

 

“Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat që në ditët e para të konfliktit, vendosi qëndrimin e saj në linjë të aleatëve të saj nga BE-ja, SHBA-të dhe NATO-ja. Fuqishëm dënojmë agresionin luftarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe i aktivizojmë sanksionet drejt Federatës Ruse”, tha Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Kovaçevski.

Ai shtoi se sot jemi dëshmitarë të agresionit luftarak në të cilin shumë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë fëmijët, kanë humbur jetën dhe kur mbi 2.5 milionë ukrainas tani më janë refugjatë dhe janë larguar nga shtëpitë e tyre.

"Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet anëtare duhet të veprojnë në mënyrë strategjike dhe me guxim dhe të bëjnë thirrje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian," tha Kryeministri Kovaçevski në  konferencën për shtyp dhe theksoi  se vetëm  Evropa e cila është  plotësisht e bashkuar mund të jetë e fortë.

“Është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të përfshihen maksimalisht, pasi që zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor tani më është çështje strategjike dhe e sigurisë. Integrimi do të thotë përkushtim i përbashkët për ndërtimin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar, si shtëpi e vlerave dhe forcave demokratike dhe civilizuese. Lënia e një boshllëku gjeostrategjik në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion. Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit do të sigurojë stabilitet, por edhe zhvillimin e Evropës. Kemi nevojë për procese të parashikueshme, të besueshme, të intensifikuara dhe të përshpejtuara integruese në BE”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në reformat dhe proceset reformuese, para së gjithash që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen demokratike, si dhe punën për rikuperim më të shpejtë nga kriza ekonomike për të cilën pritet mbështetje e forcuar financiare nga Bashkimi Evropian, me të cilën do të mundësohet përshpejtim i transformimit energjetik dhe digjital.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borrell, në konferencën për shtyp tha se Republika e Maqedonisë së Veriut  u tregua anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare në shoqërimin e dënimit të agresionit luftarak të Ukrainës.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perëndimor mbeten në krye të prioriteteve strategjike të BE-së dhe se ai dhe Komisioni Evropian do të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme që sa më parë anëtarësimi i vendit në BE të jetë realitet.

 Borrell njoftoi se Komisioni Evropian përgatit masa nga Plani Evropian i Investimeve për Ballkanin Perëndimor për mbështetjen e diversifikimit të energjisë dhe uljen e varësisë, si përgjigje e duhur e pasojave ekonomike me të cilat të gjithë ne po ballafaqohemi dhe janë të shkaktuara nga lufta.