Kovaçevski: Kemi rënë dakord për ballafaqim të koordinuar rajonal me pasojat e luftës në Ukrainë

Kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, Malit të Zi Zdravko Krivokapiq, Republikës së Rumanisë Nikollae Çuka dhe Republikës së Bullgarisë Kiril Petkov si nikoqirë të Takimit të shefave të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore, mbajtën  konferencën për shtyp pas pjesës së punës të takimit të tyre në Sofje.

Kryeministri Bullgarisë Petkov njoftoi për konkluzionet e takimit, ndër të cilat veçoi marrëveshjen e kryeministrave për rëndësinë e këtyre koordinimeve në nivel rajonal, duke pasur në fokus  rreziqet e luftës në Ukrainë, gjatë së cilës në takim iu kushtua vëmendje bashkëpunimit për ballafaqimin me krizën e refugjatëve, krizën me furnizim me burime energjetike dhe me produkte ushqimore strategjike bazë, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme si logjistikë e lëvizshmërisë së kapaciteteve  ushtarake.

Në vazhdim të kësaj kumtese, në mënyrë të plotë e përcjellim fjalimin e Kryeministrit Dimitar Kovaçevski në konferencën për shtyp:

“Së pari ju falënderoj për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm, i cili vjen vetëm  pas pak ditëve  nga Samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s në Bruksel.

Sot, si aleatë, dërguam edhe një tjetër mesazh të fortë në mbështetje dhe solidariteti me Ukrainën, por edhe për koordinim të ardhshëm dhe rritje të komunikimit mes këtyre katër vendeve të rajonit.
Takimi i shefave të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore është kontributi ynë rajonal për rezistencë dhe koordinim më të fortë në lidhje me rreziqet dhe kërcënimet potenciale të pasojave të luftës, si dhe krizën e sigurisë dhe humanitare në Ukrainë.

Kjo luftë në Ukrainë krijoi  realitet të ri në të gjitha sferat e jetës sonë, veçanërisht në aspekt të koordinimit të të gjitha përpjekjeve në prodhimin e ushqimit dhe zinxhirëve të furnizimit, si dhe stabilizimin e tyre, shpërndarjen dhe prodhimin e energjisë, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe koordinimit ushtarak.

Edhe një herë  kemi dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, dua të theksoj se ne respektojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Tani është përgjegjësia jonë të përballemi me realitetin e ri strategjik të sigurisë evropiane dhe transatlantike.

Aleatët i janë përgjigjur me vendosmëri këtij konflikti ushtarak dhe gjithashtu të gjitha vendet kanë dhënë mbështetjen e tyre, jo vetëm për popullin ukrainas që ndodhet në Ukrainë, por edhe për popullin ukrainas që u largua nga vendi i tyre dhe që papritmas u bënë refugjatë.
 

Maqedonia e Veriut është përshtatur  në mënyrë të harmonizuar si duhet me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera me vendet e BE-së dhe NATO-s.

 Theksova se zgjerimi i BE-së është në thelb një politikë sigurie dhe se ngërçi në këtë proces lë paqëndrueshmëri shtesë për rajonin sepse ka disa tendenca negative dhe krijon hapësirë për ndikimin keqdashës të vendeve të treta.

Vonesa e procesit të anëtarësimit në BE për vendet e rajonit krijon dilema që mund të rezultojnë në uljen e besimit të qytetarëve në BE. Megjithatë, edhe me sfida të tilla, Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë.

Është detyra jonë të qëndrojmë të fokusuar në promovimin e këtyre vlerave dhe parimeve.

Gjatë kryesimit tonë të OSBE-së në vitin 2023, do të përpiqem të përdor potencialin e nismave të tjera rajonale për t'u lidhur, kuptuar dhe koordinuar më mirë me njëri-tjetrin.