Strategjia Kombëtare e Zhvillimit do të krijohet përmes një procesi të gjerë gjithëpërfshirës në të cilin do të konsultohen të gjithë faktorët në vend, përfshirë drejtpërdrejt edhe qytetarët, në mënyrë që dokumenti përfundimtar për vizionin dhe të ardhmen e vendit të jetë konsensual dhe mbipartiak, si dhe gjithëpërfshirës ndër gjenerata, ndëretnik, gjinor dhe shoqëror.
Për këtë qëllim, gjatë muajit mars janë mbajtur gjithsej 30 punëtori vizionare në të cilat kanë marrë pjesë aktive mbi 1000 qytetarë nga të tetë rajonet planore të vendit. Ata dhanë propozime, ide dhe vizione të tyre për zhvillimin e ardhshëm të vendit tonë, të cilat do të përmblidhen dhe do të përfshihen në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit. Punëtoritë vizionare ishin të hapura për të gjithë qytetarët pa dallim moshe dhe profesioni, përfshirë këtu edhe grupet e rrezikuara.
Të gjithë qytetarët kanë mundësinë të përfshihen dhe të lënë gjurmë personale në krijimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. Shteti dhe shoqëria mund të ndajnë komentet, sugjerimet dhe idetë e tyre për tema të ndryshme me rëndësi kyçe në platformën e internetit të Strategjisë Kombëtare Zhvillimore www.nrs.mk
Qeveria e Maqedonisë së Veriut përgatitjet për zhvillimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim (SKZH) i filloi në fillim të vitit 2021, përmes një projekti të mbështetur nga Fondi i Ambasadës Britanike për Qeverisje të Mirë në Shkup dhe të zbatuar nga UNDP-ja në koordinim me Zyrën e Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së në Maqedoninë e Veriut për të siguruar që ekspertiza kolektive e Kombeve të Bashkuara të përdoret në proces, aty ku është e nevojshme.
Për ta njohur publikun më hollësisht me idenë, motivet dhe procesin e krijimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, si dokument kyç për zhvillimin e vendit, ndajmë me ju kolumnën e përbashkët të Fatmir Bytyqit, zëvendëskryeministrit të Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet dhe Armen Grigorjan, Përfaqësues i përhershëm i UNDP-së.
MISIONI: STRATEGJIA KOMBËTARE E ZHVILLIMIT
AUTORË:
Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime
Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i UNDP
BASHKË, KRIJOJMË NJË TË ARDHME MË TË MIRË
Një vit më parë, filluam një mision të përbashkët për të krijuar “Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit (SKZH)” për Maqedoninë e Veriut, një dokument strategjik që do të na japë qartësinë dhe vizionin e nevojshëm për qëllimet dhe rrugën e zhvillimit të shoqërisë sonë. Për të arritur këtë strategji do të jetë e nevojshme të bëjmë një përpjekje dhe kontribut të gjithë ne, së bashku, për vendin tonë. Kjo është arsyeja pse kemi projektuar një proces që është inkluziv, gjithëpërfshirës dhe do të ftojë të gjithë të përfshihen në krijimin e një vizioni të përbashkët për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Në të njëjtën kohë, ne parashikuam një proces që do të mësojë nga përvojat e mëparshme në krijimin e strategjive, si dhe nga përvojat e vendeve të tjera në planifikimin zhvillimor. Së fundi, ne kemi dashur të fusim inovacione si në zhvillimin e strategjisë ashtu edhe në vetë dokumentin.
Besojmë se kjo strategji zhvillimore do të krijojë një mjedis të favorshëm, një rrugë të re përpara, e cila shoqërisë sonë do t’i mundësojë të bashkohet dhe të tregojë rrugën e zhvillimit të vendit tonë në 20 vitet e ardhshme. Procesi i zhvillimit të SKZH filloi kur bota dhe vendi ynë u përballën me një nga sfidat më komplekse të kohës sonë, pandeminë COVID-19 dhe efektet e saj. Megjithatë, mënyra se si i përgjigjemi pandemisë nuk është e vetmja zgjedhje që duhet të bëjnë institucionet dhe njerëzit, shoqëritë tona aktualisht po përballen me shumë sfida të tjera, si ndryshimi i klimës, degradimi i mjedisit, migrimi, menaxhimi i burimeve, teknologjitë e reja dhe ndikimi i tyre në jetët dhe shoqëritë tona. Prandaj, procesi i krijimit të SKZH duhet të marrë parasysh shkathtësitë/aftësitë që duhet të ndërtojë një shoqëri, t’u përgjigjet sfidave globale afatshkurtra/afatgjata në dekadat e ardhshme dhe të sigurojë që ajo të jetë mjaft elastike, e aftë dhe e shkathët për t’iu përgjigjur atyre. SKZH-në e shohim si një platformë për përshpejtimin e politikave të zhvillimit që duhet të ndihmojë në arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm për vendin tonë dhe si një proces që është plotësues dhe mund të kontribuojë më tej në procesin e anëtarësimit në BE. SKZH mund të na ndihmojë të fusim në kornizë më mirë sfidat e Agjendës 2030 dhe të fokusohemi më tej në zbatimin e tyre, si dhe në politikat e BE-së, duke përfshirë marrëveshjen e re të gjelbër dhe agjendën digjitale, duke shfrytëzuar në të njëjtën kohë inteligjencën dhe inteligjencën kolektive të qytetarëve tanë dhe të formulojmë prioritetet tona në sfidat shoqërore dhe mundësitë e rritjes. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit do të jetë një strategji ombrellë që do të përfshijë të gjitha proceset e nisura dhe strategjitë e planifikuara dhe do të jetë plotësuese e arritjeve të deritanishme dhe do t’i përmirësojë ato.
Tashmë mund të shohim potencialin për “përshpejtimin” e SKZH-së në praktikë për sa i përket politikave të brendshme të zhvillimit. Së bashku me presidentin Pendarovski u arrit marrëveshje për sinkronizimin e iniciativës aktuale MKD2030 të udhëhequr nga Kabineti i Presidentit të Republikës dhe SKZH.
Në këtë proces të krijimit të SKZH-së, ne adoptuam një qasje sistematike, që do të thotë se nuk donim të nxitonim në zgjidhje të paracaktuara për sfidat tona unike sociale, por të vlerësonim kompleksitetin e realitetit tonë dhe të mësojmë më shumë për sistemin që po përpiqemi ta ndryshojmë. Në vitin e kaluar ne e kemi bërë pikërisht këtë, duke mësuar për sistemin tonë. Ne u fokusuam në mësimin e praktikave më të mira në krijimin e strategjive zhvillimore, të cilat mund t'i përmirësojmë në procesin e bërjes së politikave publike; si të hartojmë dhe angazhojmë më mirë faktorët socialë për të bërë ndryshime në komunitetet tona, çfarë roli duhet të luajë digjitalizimi në këtë proces, si të inkorporojmë modelet më të fundit të zhvillimit në planifikimin tonë strategjik dhe, më e rëndësishmja, si t’i mundësojmë qasje të gjithë shoqërisë në zhvillimin e SKZH-së.
Në librin e saj “Misioni: ekonomi” (“Mission Economy”) profesoresha Mariana Mazukato diskuton në detaje rëndësinë e një “misioni” si i yni (zhvillimi i SKZH-së) për të përfshirë zëra të ndryshëm që nga fillimi i procesit, për të paraqitur perspektivat e qytetarëve dhe implikimet e procesit në jeta e përditshme. Ajo pohon se “nuk mjafton të kesh një vizion: është thelbësore të përfshihen qytetarët në atë vizion”. Ne ndajmë këtë mendim dhe jemi përpjekur që në këtë proces të ndërtojmë mekanizma të cilët përveç konsultimit me qytetarët do të ofrojnë mekanizma specifikë angazhimi që do t’i përfshijnë qytetarët në procesin e formulimit të strategjisë, por edhe në procesin e zbatimit dhe monitorimit të saj. Një nga aktivitetet kyçe që kemi zbatuar deri më tani në procesin e SKZH-së është një ushtrim për të menduar për të ardhmen me bashkëqytetarët tanë, ku jemi përpjekur kolektivisht të [ri]shqyrtojmë sfidat tona aktuale dhe çfarë lloj të ardhmeje duam të ndërtojmë si një komunitet. Ky proces nxit drejtpërdrejt krijimin e dokumentit strategjik dhe deri më tani mbi 1000 qytetarë nga të gjitha rajonet e vendit janë përfshirë aktivisht në këto “punëtori vizionare”. Së shpejti do të promovohet dhe një platformë online, e cila do të jetë e disponueshme për të gjithë dhe secili në vendin tonë do të mund të ndjek zhvillimin dhe shtimin e SKZH-së si dhe të jep kontributin e vet me komentet që do të përfshihen në strategji.
Procesi i SKZH-së është një proces bashkëkrijimi dhe me përfshirje të konsiderueshme të faktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe realizimi i tij kërkon një konsensus të gjerë. Për shkak se bëhet fjalë për të ardhmen tonë të përbashkët dhe vendin tonë, që na përket të gjithëve, SKZH është një shans për të bashkuar shoqërinë tonë të polarizuar dhe së bashku të bëjmë një plan dhe vizion për të ardhmen pas të cilit të gjithë mund të qëndrojmë.
Ne filluam procesin e zhvillimit të SKZH-së në një pandemi globale, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme nga këndvështrimi i tejkalimit të krizës dhe njohja e nevojës për të krijuar këtë Strategji Kombëtare të Zhvillimit që do të forcojë qëndrueshmërinë tonë ndaj sfidave të ardhshme globale. Gjatë pandemisë, në praktikë dhe në krizë, mësuam shpejt se duhet të jemi të shkathët dhe të adaptueshëm për të kapërcyer sfidat. Nga pikëpamja simbolike, procesi i SKZH-së do të ndërtohet mbi të njëjtat parime që shpresojmë të përcjellim në vetë dokumentin.
Le të bashkojmë forcat dhe të mbledhim kurajë, të imagjinojmë dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë, së bashku.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut filloi përgatitjet për zhvillimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021-2041 në fillim të vitit 2021, përmes një projekti të mbështetur nga Fondi për Qeverisje të Mirë të Ambasadës Britanike në Shkup dhe të zbatuar nga UNDP në koordinim me Zyrën e Koordinatori i Përhershëm të OKB-së në Maqedoninë e Veriut për të siguruar që ekspertiza kolektive e OKB-së të përdoret në proces, aty ku është e nevojshme