Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqindodhet në një vizitë dyditore në Kopenhagë të Mbretërisë së Danimarkës për promovimin e përfitimeve nga investimet në vendin tonë, si dhe takime me diasporën tonë të biznesit në Danimarkë, që mund të jetë një nxitje reale ekonomike për investime në vendin tonë.
Zëvendëskryeministri Bytyqi gjatë ditës ka pasur disa takime bilaterale me menaxhmentin e kompanive të mëdha daneze dhe kompanive të suksesshme në diasporën tonë. Nga ana e kabinetit u prezantuan mundësitë e investimit dhe u bisedua për forcimin e zinxhirëve të vlerës dhe transferimin e tyre nga vendet lindore afër kufijve të Bashkimit Evropian.
Kjo, siç theksoi zëvendëskryeministri Bytyqi, do të sjellë rritje të vlerës së shtuar dhe avantazh garues për vendin tonë dhe investitorët, të cilët nuk do të përballen më me situatën aktuale të prishjes së zinxhirëve të furnizimit dhe në këtë mënyrë prishjes së stabilitetit dhe parashikueshmërisë së tregut.
Gjatë takimeve, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi përkushtimin tonë në procesin e integrimeve evropiane si dhe përkushtimin për rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe forcimin e zinxhirëve të vlerës, duke marrë parasysh gjithë Ballkanin Perëndimor.
Gjatë ditës së parë të vizitës, zëvendëskryeministri Bytyqi, ka takuar edhe Sekretarin e Shtetit për Tregti të Danimarkës, Stan Homel, me të cilin u bisedua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve dhe rritjen e promovimit të vendit tonë si destinacion i favorshëm për investime të kompanive daneze.
Sekretari i Shtetit Homel shprehu mbështetjen si dhe dyert e hapura për dialog dhe bashkëpunim të mëtejshëm për afrimin e interesave ekonomike të dy vendeve si dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive në fushën e digjitalizimit dhe transferimit të njohurive në proceset e prodhimit teknologjik.