Deklaratë e përbashkët e Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve për fillimin e Dialogut Strategjik: Jemi të fokusuar fuqishëm në thellimin e partneritetit dypalësh

Në Uashington dje u mbajt takimi i parë nga procesi i Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë  së Veriut me c’rast Qeveritë e të dy vendeve publikuan deklaratë të përbashkët në të cilën u theksua se dialogu është i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh. 

Në deklaratën e përbashkët konfirmohen marrëdhëniet e fuqishme mes dy vendeve dhe njëkohësisht shprehet kënaqësia për avancimin e përbashkët të prioriteteve në sferën e sigurisë dhe në planin bilateral në kontinentin evropian dhe në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut kanë përsëritur mbështetjen e tyre të fuqishme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, zgjedhjen e një të ardhmeje evropiane dhe i kanë bërë thirrje Rusisë që menjëherë t'i japë fund luftës dhe të tërhiqet plotësisht nga Ukraina.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut  me këtë deklaratë kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes iniciativave politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe kanë theksuar mbështetjen e tyre për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur. Ata mbështetën inkuadrimin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në iniciativat rajonale për stabilitet dhe siguri, si dhe synimin e Maqedonisë së Veriut për t'u bërë anëtare e ″Nisma e Tre Deteve″ 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në deklaratë, me padurim presin që të mbështesin punën e Maqedonisë së Veriut me kryesimin e saj me OSBE-në në vitin 2023.

Në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, SHBA-të dhe Maqedonia e Veriut në deklaratën e përbashkët theksojnë rëndësin strategjike nga zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse të klasit të lartë, kryerjes së stërvitjeve dypalëshe dhe aktiviteteve për stërvitje për përmirësimin e ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë, si dhe rëndësinë e përmbushjes së obligimeve të NATO-s për të mbështetur sigurinë kolektive .

Shtetet e Bashkuara shprehën mirënjohje për arritjet e Maqedonisë së Veriut në modernizimin dhe pajisjen e forcave të saj të armatosura me pajisje të avancuara ushtarake, si dhe përpjekjet për të përmirësuar sigurinë e saj kibernetike dhe aftësitë e mbrojtjes kibernetike. 

Shtetet e Bashkuara përgëzuan për zhvillimin qendrës për trajnimin  ushtarak Krivolak në Maqedoninë e Veriut për t'i shërbyer stërvitjeve të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s. 

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut kanë riafirmuar bashkëpunimin e tyre në kuadër të ShBA - Karta e Adriatikut (A5), dhe presin bashkëpunimin e ngushtë gjatë kryesimit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut me Kartën në vitin 2023. 

Në planin e energjisë dhe mjedisit jetësor të dy vendet përsëritën përkushtimin e tyre për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë nacionale dhe në mënyrë që do të parandalojë ndikimet negative të ndryshimeve klimatike. 

SHBA dhe Maqedonia e Veriut theksojnë përkushtimin e tyre për përforcimin e partneritetit për tranzit dhe prodhimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Në deklaratën e përbashkët me rastin e fillimit të procesit të Dialogut Strategjik, SHBA-të  dhe Maqedonia e Veriut u konfirmua përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit, kulturës dhe në aspektin profesional që nxisin mirëkuptim të  ndërsjellë midis popujve dhe pasqyrojnë vlera, aspirata dhe qëllime të përbashkëta.

SHBA-të theksuan si të rëndësishme inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën Ndërkombëtare për kujtimin e Holokaustit si një anëtare e barabartë në vitin 2022.

Të dy vendet janë të përkushtuara në promovimin e demokracisë, sundimin e së  drejtës dhe të drejtat e njeriut, në nivel rajonal dhe global, që ndërlidhen me obligimet nga Samiti i Demokracisë që nikoqir ishte Presidenti Biden.

 

Është përshëndetur interesi i Maqedonisë së Veriut për t'u bërë vend partner në Programin Global të SHBA-së për mbrojtjen e doganave dhe sigurisë kufitare.

Në deklaratën e  përbashkët me rastin e fillimit të procesit të Dialogut Strategjik, të dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre të ndërsjellë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh ekonomik dhe tregtar. 

  

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin Maqedoninë e Veriut si një treg të rëndësishëm strategjik në zhvillim me potencial të lartë rritjeje.

Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur gatishmërinë për të shfrytëzuar potencialin tregtar, për të avancuar reformat në klimën afariste dhe të vazhdojnë për identifikimin dhe zvogëlimin e barrierave për tregti dhe investime.