Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, dhe pronari i kompanisë Oricon Advanced Technologies - Markus Aleksander Mario Tuç, nënshkruan sot marrëveshje për ndihmë shtetërore që si qëllim ka zbatimin e një projekti kërkimor industrial në fushën e energjisë së rinovueshme, që parasheh investime së paku 4.900.000,00 euro dhe minimum 72 vende pune në Veles. Projekti i kërkimit industrial do të zbatohet në periudhën prej 17.11.2021 deri më 17.11.2026.
Zëvendëskryeministri Bytyqi potencoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje me kompaninë gjermane Oricon Advanced Technologies është i një rëndësie të veçantë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse paraqet një investim intensiv kapital që do të punësojë kuadro të cilësisë së lartë. Kërkimi industrial do të synojë marrjen e njohurive dhe aftësive të reja në lidhje me përmirësimin e ndjeshëm të produkteve ekzistuese dhe sigurimin e një baze për krijimin e produkteve të konkurrencës së lartë.
Rezultatet e hulumtimit do të ndahen me komunitetin shkencor dhe industrinë e RMV-së. Si rezultat i kësaj, hulumtimi do të kontribuojë në një efekt pozitiv për vendin tonë dhe do të paraqesë bazë për kërkime të mëtejshme, zhvillim dhe inovacione.
Pronari i kompanisë Oricon Advanced Technologies - Mario Tuç është prezent në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2016 përmes kompanisë Lutex e cila operon në industrinë e tekstilit. Kompania aktualisht ka rreth 100 të punësuar.
Ndihma shtetërore jepet në përputhje me Ligjin për Kontroll të Ndihmës Shtetërore.