Kovaçevski: Nga sot po ecim përpara me një hap të përshpejtuar drejt familjes evropiane, ku zyrtarisht do të dëgjohet gjuha jonë maqedonase

Qeveria në mbledhjen e sotme të 60-të shqyrtoi dhe miratoi konkluzionet që sot i votoi Kuvendi dhe në bazë të këtyre konkluzioneve Qeveria mori vendim që të miratojë propozimin e Presidencës franceze nga data 30 qershor 2022.

Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mbajti konferencë për shtyp, ku njoftoi se me vendimin e marrë në mbledhjen sotme të qeverisë, po e fillojmë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe rumbullaksohet edhe një  hap tjetër objektivisht historik për vendin tonë.

 

Më poshtë fjalimi integral i kryeministrit Kovaçevski:

 “Sot mbajtëm mbledhjen e 60-të të Qeverisë në të cilën shqyrtuam dhe miratuam informacionin për përcaktimin e qëndrimit të përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë mbajtjes së konferencës ndërqeveritare me të cilën fillojmë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimi Europian. Me këtë mbledhje të Qeverisë rumbullaksohet një tjetër hap objektivisht historik për vendin tonë.

Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, dhe ministrin për Punë të Jashtëm, Bujar Osmani, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe avancimin e pozitave shtetërore në të gjithë procesin që i ka paraprirë kësaj mbledhje të Qeverisë  dhe debatin parlamentar në ditët e kaluara. Dëshiroj të falënderoj edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë për mbështetjen e tyre në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë, proces që do të rezultojë në arritjen e qëllimit tonë të dytë strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Për shkak të kësaj pune të koordinuar dhe të përkushtuar, sot kemi një kornizë negociuese në të cilën mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas, çështjet historike janë jashtë saj dhe tashmë jemi një hap larg mbajtjes së mbledhjes së parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Të nderuar,

Sot po hapim perspektiva të reja për vendin, mundësi të reja për prosperitet për qytetarët. Prej këtu dhe sot e tutje, me hapa të përshpejtuar po ecim përpara për t'iu bashkuar familjes evropiane në të cilën shumë shpejt do të dëgjohet zyrtarisht gjuha jonë e bukur maqedonase.

Ditëve të kaluara ne diskutuam propozimin evropian në disa forume të ndryshme dhe me shumë palë të interesuara Ai konsultim dhe diskutim i gjerë përfundoi sot në Kuvend, ku para publikut, para qytetarëve patëm rastin të diskutonim dhe rikonfirmojmë qëndrimet tona dhe përkushtimin tonë në rrugën evropiane.

Qytetarët patën një mundësi unike për të parë se në Kuvend folëm për respektimin dhe përforcimin e së kaluarës, për mbështetjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të identitetit dhe veçantisë sonë kombëtare, për një të tashme të qëndrueshme, por mbi të gjitha për një të ardhme më të mirë të afërt  për përparimin, për zhvillimin, për një të ardhme premtuese të bazuar në patriotizmin e shëndetshëm, të vërtetë dhe modern.

Nga ana tjetër opozita foli për patriotizëm të rremë, për thuajse mite, për apokalips të sajuar, për errësirë, për skenarë të huaj. Ata fishkëllenin, bërtisnin, digjnin, grisnin, krahasonin miqtë tanë shtetërorë me njerëz të periudhave më të errëta të historisë. Të gjitha këto, si në të kaluarën e tyre historike dhe partiake, i bëjnë për urdhra të tyre dhe  shërbime të huaj, për interesa të të tjerëve, jo maqedonas. Pasi nuk e di sa herë e vërtetuan se për ta identiteti numërohet në para, në krim, në pallate të bardha dhe kolltuqe e makina të zeza. Ky është identiteti i tyre, JO populli dhe shteti maqedonas.

Sot i themi PO ruajtjes dhe forcimit të identitetit maqedonas, të gjuhës maqedonase, të kulturës, të së kaluarës historike, të veçorisë dhe të veçantës. Si në shtëpi ashtu edhe kudo në botë. Ne i themi PO zhvillimit të një shteti të përbashkët, multikulturor, multifetar, civil, të integruar krah për krah me kombet dhe shtetet më të mëdha në botë.

E di që vetëm njerëzit me identitet të qartë, me besim në vetvete, me respekt për rrënjët, origjinën dhe paraardhësit e tyre, me një plan të qartë për të tashmen dhe të ardhmen, vetëm mund ta çojnë vendin përpara. Të ndërtojmë një vend - një shtëpi për të gjithë dhe për të gjithë, me standarde demokratike, me sundimin e së drejtës dhe qytetarë ekonomikisht të avancuar.

Të nderuar qytetarë

Edhe një herë, qartë dhe me zë të lartë, me vendosmëri dhe siguri, në emër të Qeverisë, dua t'ju siguroj se në të gjithë procesin afatgjatë, askush nuk mund dhe nuk do të negociojë në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë për çështjen e identitetit maqedonas. Këto nuk janë çështje të negociueshme.

Ne kemi një bindje të qartë për këtë, një detyrim të shenjtë dhe të përjetshëm dhe koha do të tregojë së shpejti se ia kemi dalë.

Puna jonë e së shkuarës dhe e së ardhmes forcon identitetin tonë edhe më shumë dhe jep një shans të fortë për një vend më të mirë.

Ne vazhdojmë edhe më të sigurt, edhe më të vendosur në zhvillimin e vendit.

Në ditët dhe javët në vijim, siç edhe premtuam, do t'i qasemi zbatimit dhe fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Më në fund, pas 17 vitesh.

Së fundi, sot kam nderin të shpall datën e Konferencës së parë Ndërqeveritare, e cila do të mbahet javën e ardhshme, më 19 korrik, në Bruksel.

Pastaj, Evropa do të jetë në Shkup, dhe Republika e Maqedonisë së Veriut në Bruksel, me kapacitet të plotë, me qasje në fonde, me qasje në njohuri, parime të vërteta dhe më e rëndësishmja vlera për të cilat ne përpiqemi dhe dëshirojmë. Dhe e gjithë kjo, bazuar në veçimin tonë kombëtar e shtetëror, historinë, identitetin, që do të shihet vazhdimisht në të gjitha qendrat evropiane.

Ju ftoj në unitet, në besim, në një qasje pozitive, në optimizëm. Ju thërras, sepse ne ofrojmë bashkim për një shtet maqedonas më të mirë dhe të vërtetë. Për një diell të ri lirie, drejtësie, zhvillimi, multietnik e multikulturor, civil dhe njw shtetw evropian. Ashtu siç i takon dhe siç duam në zemrat tona, ashtu siç ndërtojmë në mënyrë të ndjeshme me mendjen tonë.

Në fund, dua t'ju siguroj edhe një herë.

Do t’ia dalim. Do tw kemi sukses . Ne do të punojmë së bashku, do të ndërtojmë një shtet të fortë, të barabartë, të suksesshëm.

Me ju, PËR ju, në emër të të parëve tanë, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Rrofshin qytetarët, rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut!”.