Osmani në takimin ministror të NATO-s në Bukuresht: Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do ta përforcojë sigurinë transatlantike

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po merr pjesë në NATO-takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme, që po mbahet sot në Bukuresht, Romani.

Në fokus të bisedimeve ishin sfidat aktuale të sigurisë, mbështetja për Ukrainën, si dhe pasojat nga agresioni ushtarak rus, mes të cilave kriza energjetike dhe mungesa e ushqimit, të cilat shkaktojnë paqëndrueshmëri në rajonet e ndjeshme, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Osmani në fjalimin e tij e theksoi rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi për Aleancën e NATO-s, duke e theksuar nevojën për rritjen e lidhshmërisë dhe forcimin e partneritetit në ballafaqimin me kërcënimet e përbashkëta.

“Siguria në Evropë është e shkatërruar, agresioni rus ndaj Ukrainës i rrënoi parimet të cilat mundësojnë paqe dhe stabilitet; por NATO-ja me kohë, fuqishëm dhe me vendosmëri i është përshtatur sfidave të reja politike dhe atyre të sigurisë. Nuk kam dilemë që sot e riafirmojmë këtë unitet, aleancën e forcuar transatlantike, por edhe vendosmërinë, gatishmërinë dhe praninë e shtuar këtu në rajonin e Detit të Zi dhe në të gjithë Krahun Lindor të Aleancës” tha Osmani.

Në kuadër të takimit, në të cilin morën pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Suedisë e Finlandës, aleatët e riafirmuan mbështetjen për Ukrainën dhe popullin ukrainas, e njëherit i përcaktuan edhe hapat vijues për mbështetjen e përforcuar praktike. Njeherit, u bë fjalë edhe për politikën e dyerve të hapura të NATO-s, me çka Osmani theksoi se shpreson që Suedia dhe Finlanda sa më shpejtë të anëtarësohen në Aleancë, me çka të dyja vendet do të forcojnë stabilitetin e tyre, si dhe dukshëm do t’i forcojnë kapacitetet e Aleancës.