Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mbajti ligjëratë në Kolegjin e Evropës në kampusin Natolin në Varshavë, menjëherë pas pjesëmarrjes së tij në Takimin Ministror të OSBE-së në Logj dhe dorëzimit simbolik vendit tonë kryesimin me Organizatën në vitin 2023.
Duke iu referuar luftës së agresionit rus ndaj Ukrainës, e cila është në fokus të kryesimit tonë me OSBE-në në vitin e ardhshëm, Ministri Osmani foli për përkushtimin e përbashkët të kauzës euroatlantike - kauzën e sigurisë, lirisë, demokracisë dhe barazisë - dhe vendosmërinë e fuqishme, përskaj pritjeve, që të qëndrojmë në mbrojtje të së njejtës, dhe përkundër përpjekjeve që të jetë e thyer me demagogji, narrativa të rreme apo kërcënime hibride.
“Nuk ka vend për agresion në Evropë në shekullin 21. Jo, pas asaj që të gjithë ne popujt evropianë e kemi duruar dhe nëpër të cilën kaluam në shekullin e kaluar: Dy luftëra shkatërruese, përçarje, frikë nga Armagedoni bërthamor dhe breza të humbur në mjegullën ideologjike që e mbulon sundimin totalitar mbi pjesën lindore të kontinentit tonë. Jo, pas rënies së Murit të Berlinit, pas ribashkimit të një pjese të madhe të Evropës dhe miratimit të Kartës së Parisit, e cila vetëm i riafirmoi, në frymë të re të bashkëpunimit dhe konstruktivitetit, parimet e Aktit Final të Helsinkit, veçse të dakorduara gjatë Luftës së Ftohtë. Jo, krahas gjithçkaje që kemi bërë si investim në paqe, stabilitet, zhvillim demokratik dhe rend të bazuar në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, drejtësi sociale dhe prosperitet për të gjithë”, tha Osmani.
Duke folur për prioritetet tona si kryesuese e ardhshme e OSBE-së, Osmani nënvizoi se do të përpiqemi të gjejmë mënyra për forcimin OSBE-së, pa mos kursyer energji ose kohë që ta bëjmë Organizatën të përgjigjet për qëllimin e saj dhe ta forcojë rëndësinë e saj në kontekstin e sotëm kompleks gjeopolitik. Por, siç tha Osmani, “për sovranitetin e shteteve, paprekshmërinë e kufijve të njohur ndërkombëtarisht, respektimin e të drejtave të njeriut dhe elementeve të tjera të Dekalogut të OSBE-së nuk negociohet, jo vetëm për shkak se në një moment të caktuar ishin të dakorduara nga të gjithë dhe ende respektohen nga shumica dërrmuese e vendeve pjesëmarrëse, por thjesht pasi që nuk ka alternativë tjetër. Nuk mund të lejojmë ose ta pranojmë pushtimin territorial dhe ndryshimin e kufijve me luftë, as të pranojmë kthimin e sferave të ndikimit, sundimin e forcës dhe të drejtën e më të fortëve për të vendosur për fatin e kombeve të tjera”.
Në fund të fjalimit të tij, Osmani e theksoi rëndësinë e përfundimit të projektit evropian si investim më i mirë në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.