Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, në konferencë të përbashkët për shtyp e prezantuan Propozim-buxhetin për vitin 2023, duke e vlerësuar atë si buxhet për siguri, stabilitet, i cili do të reagojë ndaj krizës dhe do të vendosë bazat për rritjen e mëtejshme ekonomike.
“Propozim buxheti për vitin 2023 është baza e vizionit tonë për Republikën e Maqedonisë së Veriut si vend stabil, me prosperitet ekonomik dhe të avancuar, dhe si vend anëtar i ardhshëm i BE-së. Gjatë 10 muajve të fundit, kemi bërë përpjekje të mëdha dhe kemi arritur ta mbrojmë ekonominë dhe standardin e jetesës së Maqedonisë, por tani është koha që të mendojmë se si të ecim përpara dhe si të bëjmë më mirë,” tha Kryeministri Kovaçevski.
Ai shtoi se angazhimet e tij si Kryeministër dhe si Qeveri janë mundësimi i sigurisë, e ardhmja më e mirë dhe prosperitet për të gjithë qytetarët në këtë vend, aspirimi drejt kushteve dhe mënyrës së jetesës evropiane sepse qytetarët meritojnë të kenë atë që e kanë edhe qytetarët e BE-së.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se me Buxhetin në vitin 2023 parashihet të sigurohen 250 milionë euro mjete për masat antikrizë, 120 milionë euro më shumë për pensionistët, 57.5 milionë euro më shumë për komunat, 63 milionë euro më shumë për shërbimet shëndetësore dhe karakteristikë kryesore është se për shpenzimet kapitale janë projektuar 800 milionë euro, për të cilat theksoi se do të përpiqet të ketë realizim të lartë.
Ministri i Financave thekson se ky është buxheti i parë i hartuar sipas Ligjit të ri të Buxheteve, si dhe se struktura e tij ndryshon me pjesëmarrje më të madhe të investimeve kapitale në buxhet.
“Ky është buxhet zhvillimor, duke pasur parasysh që investimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor”, potencoi ministri Besimi dhe theksoi se mjetet nga buxheti destinohen atje ku japin efektin më të madh për arritjen e qëllimeve ekonomike për zhvillim dhe rritje të përshpejtuar. “Kjo do të kontrollohet nga treguesit dhe politikat e caktuara për matjen e rezultateve nga zbatimi i tyre”, tha ministri i Financave.
Ministri theksoi gjithashtu se me anë të këtij propozimi ulen shpenzimet joproduktive, si mëditjet për udhëtime pune, për automjete zyrtare etj., në përputhje me Planin e qëndrueshmërisë fiskale dhe në drejtim të konsolidimit fiskal.
“Zvogëlohen kostot joproduktive si mëditjet për udhëtime pune, për automjete dhe kostot e tjera joproduktive. Parashihet rritje prej 5% për pagat, ku përfshihet efekti i rritjes së pagës minimale, ndërsa për mallrat dhe shërbimet parashihet rritje prej 2% për rritjen e kostove të energjisë elektrike dhe energjensave për shkak të rritjes së çmimit”, tha Besimi.
Kjo është konferenca e parë për shtyp nga një sërë konferencash që janë planifikuar me ministritë e caktuara në drejtim të prezantimit transparent të buxheteve. Ato kanë për qëllim informimin e publikut në mënyrë më të detajuar për zërat e buxhetit dhe projektet e caktuara në buxhet në përputhje me përpjekjet e Qeverisë për transparencë dhe llogaridhënie fiskale.