Osmani në takim me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Egjiptit, Saleh

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Republikën Arabe të Egjiptit, u takua me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Egjiptit, Ahmed Samir Saleh.

Osmani dhe Saleh rikonfirmuan marrëdhëniet e mira bilaterale dhe rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar në fusha të ndryshme si bujqësia, ushqimi, industria e tekstilit etj.

Të dy bashkëbiseduesit iu referuan potencialit ekonomik të dy vendeve për shkëmbimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore, për ballafaqim më të lehtë me sfidat aktuale që lidhen me sigurinë ushqimore dhe nevojën për diversifikimin e furnizimeve ushqimore.

“Ne kemi produkte bujqësore cilësore dhe potencial për të cilin kemi nevojë për tregje të reja, prandaj duhet të bëjmë përpjekje dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të forcuar më tej tregtinë ndërmjet vendeve tona”, tha Osmani. 

Në këtë kontekst, Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin për përkushtimin e Qeverisë në drejtim të intensifikimit të diplomacisë ekonomike dhe krijimit të kushteve të favorshme për investitorët e huaj në mënyrë që Maqedonia e Veriut të identifikohet si partner ekonomik i besueshëm dhe transparent për realizimin e projekteve të tyre.