Kovaçevski: Burimet e ripërtërishme të energjisë janë e ardhmja dhe baza e transformimit energjetik të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski dhe kryetari i komunës Dragan Anastasov sot vizituan fabrikën TabMak në Probishtip, e cila për nevojat e veta ka instaluar një nga termocentralet më të mëdha fotovoltaike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me mbi 15 mijë panele në 10 hektarë dhe 6.000 shtesë në sipërfaqen e çatisë së impiantit, kjo kompani gjatë  krizës energjetike mbulon 25% të nevojave për energji elektrike.

Në vazhdim përcjellim fjalimin në tërësi të kryeministrit Kovaçevski:

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot këtu në Probishtip pata mundësinë të vizitoj centralin fotovoltaik në pronësi të kompanisë Tab Mak. Kjo nuk është vizita ime e parë në kompani, por sot për herë të parë pata mundësinë të shoh centralin, i cili është një nga më të mëdhenjtë në vend me mbi 15 mijë panele të instaluara dhe fuqi prej 8.4 megavat. Njëkohësisht, kjo kompani disponon edhe me rreth 6.000 panele të instaluara në sipërfaqet e çatisë së fabrikës.

Tab Mak është një kompani e cila i ndjek dhe i zbaton teknologjitë dhe standardet më të fundit të prodhimit që pasurojnë ofertën e produkteve cilësore. Dhe kjo është pjesë e misionit të tyre. Por në të njëjtën kohë, ato krijojnë edhe politika shoqërore të përgjegjshme të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetin e punonjësve dhe gjithsesi edhe transformimit të gjelbër të shtetit.

Pikërisht në këtë drejtim është edhe investimi i tyre në fotovoltaikë në sipërfaqe prej 10 hektarë. Me këtë ata mbulojnë 25% të nevojave për energji elektrike të impiantit prodhues. Besoj se ky është një nga investimet e tyre më fitimprurëse, veçanërisht në kushte të krizës energjetike dhe gjithashtu edhe në të ardhmen besoj se do të vazhdojnë me investime  në burime të reja të energjisë elektrike.

Jam i vetëdijshëm se kriza ekonomike dhe energjetike shkaktuan trazira të papara në kontinentin evropian, por prandaj kemi sjell vendime në kohë me të cilat jemi siguruar se asnjë qytetar apo kompani nuk do të mbeten vetëm për të përballuar krizën.

Me atë qasje si Qeveri e përgjegjshme ia dolëm t'ua kthejmë paratë qytetarëve kur ishte më e nevojshme. Fillimisht kemi siguruar dy pako masash kundër krizës në vlerë prej mbi 760 milionë euro, si dhe kemi siguruar paga dhe pensione më të larta.

Me të njëjtën qasje siguruam likuiditetin e kompanive, të cilat mbronin vendet e punës, dhe vazhdimisht siguruam 80% çmime të subvencionuara të energjisë elektrike për amvisëri, si dhe rrymë të lirë për të pasur produkte ushqimore bazë më të lira, gjegjwsisht për fabrikat dhe fabrikat prodhuese që prodhojnë produkte ushqimore bazë. Me këtë ne mbrojmë standardin, por edhe që shteti të funksionojë pa probleme.

Me këtë qasje të përgjegjshme, por edhe me vizion për të ardhmen, ne i afrohemi transformimit energjetik të vendit, për të cilin kemi aq shumë nevojë, sidomos në këtë kohë të mungesës së energjisë.

Para nesh janë projekte të mëdha strategjike energjetike, siç është termocentrali i madh fotovoltaik në Shtip, Stipion prej 400 megavatësh, i cili aktualisht është duke u negociuar me Qeverinë dhe që duhet të jetë model për zhvillimin e bujqësisë nga kompania e njohur franceze AKUO, si dhe ndërtimi i një termocentrali të madh të erës në Virovi, nga kompania e njohur gjermane WPD. Gjithashtu pres që deri në 300 megavat termocentrale diellore të përfshihen në sistem deri në fund të vitit 2023.

Në të njëjtën kohë, tashmë janë në fuqi ndryshimet ligjore për lehtësimin e procedurës për instalimin e fotovoltaikëve, me të cilat procedura thjeshtohet dhe lehtësohet plotësisht, nuk ka më burokraci të panevojshme dhe procedura e cila më parë ka zgjatur deri në një muaj është tani reduktuar në vetëm një ditë.

Me mbështetjen e duhur dhe menaxhimin e duhur, kam besim se ne mund ta transformojmë atdheun tonë të bukur në një qendër energjie të gjelbër dhe të sigurojmë efikasitet energjetik dhe pavarësi energjetike dhe të furnizojmë rajonin në fund të ditës me energji elektrike nga burime të rinovueshme.

Kjo është e ardhmja dhe nuk është e paarritshme. Tashmë po hedhim hapat e parë dhe kam besim se do të realizojmë vizionin tonë dhe do të sigurojmë investime në industritë e së ardhmes që do të na sjellë më shumë vende pune, punë me pagesë më të mirë, një të ardhme më të mirë të përbashkët për të gjithë.

Uroj edhe shumë suksese në zhvillimin e kompanisë TabMak dhe në pushtimin e tregjeve të reja, gjë që më bën veçanërisht krenar dhe të lumtur, sepse produktet cilësore të prodhuara në fabrikat tona, të eksportuara jashtë vendit, janë promotori ynë më i mirë ndërkombëtar”, tha Кryeministri. Kovaçevski.