Kovaçevski në “Buçen Kozjak”: Me masat e Qeverisë anti krizë, zbusim rritjen e madhe të çmimeve për qytetarët dhe krijojmë kushte për përparimin e kompanive vendore

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikolovski, vizituan kompaninë e qumështit “Buçen Kozjak” në Kumanovë. Gjatë vizitës u diskutua me pronarët dhe punonjësit, të cilët theksuan se vazhdimësia në operim dhe ekzistenca afatgjate është ajo me të cilën ata njihen dhe me të cilën kanë fituar besimin e qytetarëve për produktet e tyre.

Pas vizitës së kompanisë, Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo kompani i njeh politikat tona strategjike në bujqësi, të cilat i ndihmuan shumë “Buçen Kozjakut” që të zhvillohej, modernizohej me mekanizim të ri, kuadro profesionale, në mënyrë që cilësia e tyre të njihet nga konsumatorët.

“Krahas shfrytëzimit të mbështetjes financiare për kthimin e investimeve, qumështorja aplikoi edhe për furnizim të subvencionuar me energji elektrike, masë kjo që është pjesë e pakos së masave kundër krizës që do t'i përgjigjet shumicës së sfidave të vendosura nga kriza ekonomike dhe energjetike. Në të njëjtën kohë, me masat e Qeverisë kundër krizës, ne jemi mbështetje dhe siguri si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit. Gjithashtu, me këto masa i kemi mundësuar prodhuesve të ushqimit që të kenë energji elektrike stabile dhe më të lirë dhe pres që së shpejti kjo të ndikojë në stabilizimin e çmimeve të produkteve që ata prodhojnë, sepse synimi ynë ka qenë njëkohësisht mbrojtja e qytetarëve nga rritjet e mëdha të çmimeve.

Gëzon fakti që “Buçen Kozjak” është pjesë e shumë kompanive që kanë instaluar sisteme fotovoltaike për prodhimin e tyre të energjisë elektrike, duke prodhuar kështu 30% të energjisë elektrike vetë. Me ndryshimet ligjore që i bëmë, përveç thjeshtimit të procedurës për vendosjen e sistemeve fotovoltaike në çatitë e amvisërive dhe objekteve industriale, mundësuam edhe shkëmbimin e energjisë elektrike”, tha Kovaçevski dhe shtoi se kjo Qeveri do të vazhdojë t’i përmbushë obligimet e premtuara si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj sektorit të biznesit.

Ministri Nikollovski tha se ky vit 2022 do të mbahet mend si viti në të cilin kemi paguar plotësisht detyrimet e papaguara ndaj bujqve. “Kemi përgatitur plan dhe dinamikë me të cilën kemi paguar plotësisht mbi 20.000 blegtorë në vlerë të përgjithshme prej 1,4 miliardë denarë, mbarështuesve të gjedheve, deleve, bletëve dhe dhive.

Ne kemi paguar plotësisht mbështetjen për prodhuesit e qumështit për periudhën tetor 2020 - shtator 2021, me të cilën mbi 500 milionë denarë kanë përfunduar në llogaritë e rreth 6.000 prodhuesve të qumështit. Kemi bërë pagesë shtesë për prodhuesit e qumështit përmes Programit intervenues, ku rreth 6000 prodhues të qumështit kemi paguar 114 milionë denarë.

Këto masa të zbatuara nga Qeveria konfirmojnë edhe një herë përkushtimin dhe shqetësimin tonë të fortë për çdo bujk, për çdo qytetar.

Me Buxhetin e ri për vitin 2023 kemi siguruar buxhetin më të madh historik në bujqësi deri më tani. Një buxhet, mjetet e të cilit janë paraparë për realizimin e reformës së re në bujqësi dhe programet e reja mbështetëse të vendosura në pesë shtylla kyçe për mbështetje”, deklaroi Nikollovski.

“Buçen Kozjak” ka një traditë afro 40 vjeçare të blerjes dhe përpunimit të qumështit. Që në vitet e tetëdhjeta, kjo kompani njohu potencialin për blerjen e qumështit në këtë rajon, sot përpunojnë 50 tonë qumësht në ditë.