Osmani në Këshillin e Ambasadorëve me shefat e misioneve tona jashtë vendit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot përmes videolidhjes mbajti takim të rregullt vjetor të punës me shefat e misioneve tona diplomatike-konsullore jashtë vendit – Këshilli i Ambasadorëve.

Në fjalën hyrëse, Ministri Osmani iu referua sukseseve kryesore të diplomacisë në vitin 2022, vit që shënoi ivazionin rus ndaj Ukrainës me të gjitha implikimet që dalin prej saj, si politike, të sigurisë si dhe ato ekonomike.

“Ky vit ishte një vit i përmbysjeve dhe sfidave të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, në nivel global dhe evropian, por edhe periudhë turbulente në kuadër të rajonit tonë. Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE me negociata të filluara për anëtarësim, zgjodhi qasje konstruktive dhe proaktive për t’u përballur me sfidat globale, duke u afirmuar si aleat aktiv dhe i besueshëm i NATO-s, partner kredibil i Bashkimit Evropian me harmonizim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe partner ndërkombëtar i qëndrueshëm, i përkushtuar në forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit” tha Osmani.

Një pjesë e konsiderueshme e Këshillit të ambasadorëve iu kushtua drejtimeve të veprimit diplomatik për vitin e ardhshëm në kontekst të prioriteteve kryesore të politikës së jashtme të shtetit tonë.

“Nga të gjitha Përfaqësitë tona Diplomatike dhe Konsullore, në vitin 2023 presim angazhim të shtuar, të organizuar dhe të koordinuar në përmbushjen e qëllimeve dhe aktiviteteve të hartuara të politikës së jashtme”, theksoi Osmani.

Para Ambasadorëve dhe Konsujve të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit u drejtua Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, teksa fjalim do të ketë edhe Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Në Këshillin e Ambasadorëve u bë rezyme e aktiviteteve më të rëndësishme të vitit 2022, si dhe u projektuan aktivitetet dhe projektet për vitin 2023.

Ndër temat të cilat dominuan në këtë takim tradicional të Ministrit të Punëve të Jashtme me shefat e misioneve tona diplomatike dhe konsullore jashtë vendit ishin: Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dinamika rajonale, agjenda jonë evropiane, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet evropiane, aktivitetet në sferën e diplomacisë ekonomike, marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë, Dialogu Strategjik me SHBA-në, aleanca në kuadër të NATO-s, si dhe kryesimi me SHBA-Karta e Adriatikut (A5), me Procesin për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, si dhe kryesimin me OSBE-në në kontekst të paqëndrueshëm gjeopolitik të shkaktuar nga invazioni rus i Ukrainës.