Grubi: Nuk ka më kohë dhe hapësirë për kalkulim, ose jeni për Europë ose jeni kundër

 Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot mori pjesë në Konferencën vjetore të Qeverisë “2023, vit i mundësive të reja për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian.

“Politika e qeverisë sonë është e guximshme dhe përparimtare, politikë e zero problemeve me fqinjtë dhe partneritet të plotë rajonal dhe euro-amerikan. Ndërsa, politika e frikës është politikë e regresit, është politikë që mban status quo, dhe kur të gjithë të tjerët përparojnë, ata që ngecin në vend, në fakt shënojnë regres”, është shprehur mes tjerash në fjalën e tij para të pranishmëve, Grubi.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

I nderuar kryetar i Qeverisë,

Të nderuar ministra, ambasadorë, shoqëri civile, gazetarë,

Të nderuar qytetarë,

Para një viti, pata thënë që kryefjala e 100 ditëshit të parë të Qeverisë sonë është stabiliteti.

Të gjitha të tjerat i tha Kryeministri tashmë dhe s’dua të përsëritëm, por dua të shpalos disa qëndrime politike në lidhje me aktualitetet shoqërore.

Ne u rizgjodhëm pas një tentative të dështuar në Kuvend për të penguar nisjen e negociatave me Bashkimin Europian me motive për ta shpier vendin tonë në paparashikueshmëri.

Nuk lejuam instalimin e një shumice parlamentare të varur nga Moska që do zgjedhte një Qeveri kukull dhe në shërbim të tjetërkujt, jo të qytetarëve.

Këto përpjekje nuk ndaluan. Kërcënimet e tilla janë përditshmëri e qeverisjes sonë, por kjo nuk na dekurajon. Përkundrazi, na forcon edhe më tepër për ta realizuar atë që premtuam para qytetarëve, barazi, zhvillim, integrim, paqë, siguri dhe stabilitet.

Përveç deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës, vendi jonë ka tre dokumente bazë që mundësojnë realizimin e përcaktimeve tona programore, Marrëveshjen paqësore të Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë.

 

 

Pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit e rrumbullakësuam dhe tashmë zbatimi i saj është përditshmëri dhe na mundësoi shoqëri të barabartë, jemi dëshmitar që asnjë vendim margjinalizues, diskriminues nuk është ndërmarrë dhe ska asnjë pengesë në zbatim. Shteti po tregon lojalitet ndaj komuniteteve dhe komunitetet po ia kthejnë me lojalitet. Vendi jonë nuk humbi asgjë, as nga flamuri, aș nga gjuha, as nga komunat, as nga universitet, përkundrazi, u bë shumë më i fortë dhe i qëndrueshëm dhe ky proces ia hapi edhe perspektivën europiane vendit. Edhe pas marrëveshjes së Ohrit, dielli lindi përsëri dhe ne jemi po të njejtët, në po të njejtin vend, por me shoqëri shumë më të shëndoshë.

Marrëveshjen e Prespës e respektuam në tërësi, ndryshuam kushtetutën. Sërish, asnjë e keqe nuk i ndodhi vendit tonë. U bëmë anëtarë të NATO-së, u shumëfishuan investimet e huaja dhe jemi të sigurtë në këto kohëra të vështira dhe të paparashikueshme. Edhe pas Marrëveshjes së Prespës, dielli lindi sërish dhe vendi jonë mbeti aty ku ishte, por shumë më i fortë dhe me shumë miq.

Edhe me Serbinë e zgjodhëm çështjen e autoqefalisë së kishës ortodokse dhe sërish asnjë gjë e keqe nuk na ndodhi.

Edhe marrëveshjen e fqinjësisë së mirë e miratuam edhe në qeveri edhe në kuvend dhe si rezultat, në korrik të vitit të kaluar, më në fund nisëm negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe pas kësaj, lindi dielli sërish, dhe po flasim të njëjtat gjuhë që i flisnim, po shkruajmë siç shkruanim, po ndjehemi siç jemi, pa lejuar asnjë imponim, por tashmë si vend që po negocion me Brukselin.

Të nderuar,

Politika e qeverisë sonë është e guximshme dhe përparimtare, politikë e zero problemeve me fqinjët dhe partneritet të plotë rajonal dhe euro-amerikan.

Ndërsa, politika e frikës është politikë e regresit, është politikë që mban status quo, dhe kur të gjithë të tjerët përparojnë, ata që ngecin në vend, në fakt shënojnë regres.

Politikat imponuese nga ana e opozitës, të frikës nga shqiptarët, i demantoi Marrëveshja e Ohrit, asgjë e keqe nuk i ndodhi vendit, të frikës nga grekët, sërish asgjë e keqe nuk i ndodhi vendit dhe i demantoi edhe Marrëveshja e Prespës, por edhe nga marrëveshja e fqinjësisë së mirë nuk i ndodhi asgjë vendit, bashkëqytetarët e mi flasin gjuhën maqedonase tashmë të njohur në Bruksel.

Ata që instalojnë politika të frikës ndaj qytetarëve të tyre dhe paraqiten si kuazipatriot, e duan vetëm pushtetin dhe ta mbajnë vendin të izoluar nga bota perëndimore me shpikjen e frikës inekzisutese për t’i frikësuar qytetarët dhe për ta mbajtur pushtetin si shpëtimtarët e një problemi të sajuar.

Më këto politika absurde të frikës i humbëm 10 vite të jetës sonë.

Sot, po ata që instalojnë frika të paqena, i thonë përfaqësuesve ndërkombëtarë që ne do ta ndryshojmë kushtetutën pasi që të marrim pushtetin dhe i kemi metodat se si, por na duhet pushteti.

Është mirë që këtë ta dinë edhe bashkëpartiaket e tyre. E kanë për pushtet të dashurit e mi, nuk e kanë për patriotizëm.

Prandaj, në kohëra vendimtare, kur i gjithë rajoni po shfrytëzohet si poligon për ndikim, ne, si shumicë progresive, po i sfidojmë të gjithë me Aleancën Europiane.

Kjo rrugë është e vetmja edhe për projektet, autostradat, hekurudhat, deponitë, shkollat, spitalet, çerdhet, edhe për standardin jetësor, edhe për sundimin e ligjit, edhe për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe për pastrimin e rradhëve tona shoqërore dhe publike nga instaluesit e frikës dhe penguesit direkt e indirekt të rrugës europiane.

Ejani të gjithë, maqedonas, shqiptarë, turqë, romë, serb, vlleh, boshnjak, parti politikë, shoqëri civile, media, opinion bërës, bota akademike dhe qytetarë në vijën e parë të frontit të Maqedonisë europiane.

Nuk ka më kohë dhe hapësirë për kalkulim dhe mashtrim, ose jeni për Europë ose jeni kundër, nuk ka hapësirë për zonë të ndërmjetme, nuk ka alternativë tjetër ekzituese.